Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes akuzohet për 11 milionë dollarë ryshfet


Gjykata e qytetit të Moskës të mërkurën hodhi poshtë ankesën e paraqitur nga ekipi ligjor i zëvendësministrit të Mbrojtjes Timur Ivanov, i cili po mbahet nën akuzën për ryshfet, tha avokati i tij. Gjykata ka kundërshtuar ta lirojë me arrest shtëpiak, përkundrazi e ka mbajtur në paraburgim.

Hetuesit argumentuan se Ivanov mund të përpiqet të arratiset nga vendi, duke shkuar potencialisht për në BE, tha avokati i tij, Murad Musayev, për RIA Novosti. Musayev hodhi poshtë rrezikun, duke vënë në dukje se zyrtari është në lista të ndryshme sanksionesh perëndimore dhe shtoi se ai do e kundërshtonte vendimin në një Gjykatë të Kasacionit.

Ivanov akuzohet për marrjen e shërbimeve nga kontraktorët e ndërtimit ushtarak të vlerësuar në rreth 1 miliard rubla (rreth 10.8 milion dollarë), zbuloi Musayev.

Gjykata hodhi poshtë gjithashtu ankesën e bërë nga një bashkëpunëtor i ngushtë i Ivanovit, Sergej Borodin, i cili përballet me të njëjtat akuza dhe akuzohet për përfshirje në skemën e supozuar të korrupsionit. Borodin u arrestua menjëherë pasi zëvendësministri i Mbrojtjes u mor në paraburgim.

Ivanov u arrestua më 23 prill, disa orë pasi mori pjesë në një takim të zgjeruar ministror të udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu. Zyrtari është akuzuar për marrje ryshfeti në shkallë të gjerë, me një dënim deri në 15 vjet pas hekurave. Ivanov është pezulluar përkohësisht nga posti i tij, sipas Musayev.

Ivanov më parë ishte i përfshirë në sektorët e energjisë dhe të ndërtimit të vendit si zyrtar publik. Përpara se të merrte postin në vitin 2016, në të cilin ai ka mbikëqyrur projektet e ndërtimit ushtarak, ai drejtoi kontraktorin e ndërtimit “Oboronstroy” dhe punoi në disa kompani të profilit të lartë shtetëror të energjisë dhe ndërtimit.