Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohen për 21.6 milionë lekë vjedhje me paga të dublikuara, shkojnë në gjyq 4 punonjësit e UKT-së


Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet e ka çuar për gjykim 4 zyrtarë të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë të akuzuar për vjedhjen e 21.6 milion lekëve përmes rrogave të dublikuara, shkruan Shqiptarja.

Të akuzuar janë Erblin Lushaj inxhinier, Sigi Zhuleku përgjegjës i pagave si dhe dy faturistët Rudina Lalaj e Azem Xhaferri.

Ata u kallëzuan nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT për vjedhje e shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Vjedhja u zbulua nga një bankë e nivelit të dytë që sinjalizoi UKT-në për dublikim të emrave të punonjësve të kësaj shoqërie në procedurën e kalimit të pagave nga llogaria e UKT-së drejt bankës.

Përfituesit sipas prokurorisë ishin Sigi Zheleku e Rudina Lalaj. Lëvizjet janë gjetur në periudhën Janar-Korrik 2023, ku nga auditimi i kryer rezulton se listëpagesat zyrtare së bashku me urdhërtransfertat, në dukje kanë të njëjtën vlerë totale por që në të vërtetë nuk korrespondon me vlerën në urdhrin e transfertës.

Dukuria dyshohet se është i shtrirë nga muaj prill 2018 deri në korrik 2023 dhe dëmi ekonomik është i konsiderueshëm.

Sipas prokurorisë Sigi Zheleku ka përfituar në mënyrë të paligjshme, përtej vlerës së listëpagesës mbi të ardhurat nga punësimi, diferencën prej 13,983,504 lekësh nga prilli i 2018 në korrik 2023.

Rudina Lala për periudhën prill 2018-korrik 2023 ka përfituar 5,627,504 lekë, Erblin Lushaj për periudhën prill 2018-shtator 2021, ka përfituar, 1,616,416 lekë ndërsa Azem Xhaferi për periudhën prill 2021-korrik 2022, ka përfituar 452,446 lekë.