Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e ka mbikëqyrur një testim tjetër të një raketahedhësi të shumëfishtë, të cilin vendi i tij synon ta vërë në përdorim duke filluar nga ky vit, njoftuan mediat shtetërore të shtunën.
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, tha se testimi i së premtes konfirmoi “përparësitë dhe fuqinë shkatërruese” të raketahedhësit të shumëfishtë dhe të predhave të tij.
KNCA-ja tha se ky sistem, të cilin Veriu e ka testuar dy herë këtë vit, do të vihet në përdorim të njësive luftarake nga viti 2024 deri më 2026, për t’i zëvendësuar raketahedhësit e vjetërsuar.
Në muajt e fundit, Koreja e Veriut e ka mbajtur ritmin e përshpejtuar të testimit të armëve, pasi synon t’i rrisë kapacitetet ushtarake në një kohë mosmarrëveshjeve diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut.
Ekspertët thonë se synimi i Kimit është t’i bëjë trysni SHBA-së ta pranojë përfundimisht idenë se Koreja e Veriut është fuqi bërthamore dhe kështu të ulet dhe të bisedojë me të për koncesione ekonomike dhe të sigurisë.
Kohëve të fundit, Koreja e Veriut është përqendruar në testimin e sistemeve të artilerisë. Por, këtë vit, ajo ka testuar edhe raketa të ndryshme lundruese, si dhe një raketë të re hipersonike me rreze të mesme veprimi, me shtytës që funksionojnë me lëndë djegëse të ngurta.
Ekspertët thonë se kjo raketë është e ndërtuar për t’i goditur caqet e largëta amerikane në Paqësor, përfshirë qendrën e saj ushtarake në Guam.
Pas testimit të së premtes, Kimi udhëzoi rritjen e prodhimit të raketahedhësve të shumëfishtë 240-mm dhe predhave të tyre, për të cilat tha se do të sillnin “ndryshim të madh” në aftësitë luftarake të forcave të tij, njoftoi KCNA.
Derisa sistemet e artilerisë së Koresë së Veriut janë të ndërtuara për t’i goditur caqet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut dyshojnë se testimet e fundit të Veriut kanë për qëllim vlerësimin e armëve që ky vend ka ndër mend t’i eksportojë në Rusi.
Zyrtarët amerikanë dhe jugkoreanë e kanë akuzuar Korenë e Veriut se i ka dhënë Rusisë predha të artilerisë, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për ta vazhduar luftën në Ukrainë./REL