Greqia po merr masa shumë të rrepta sigurie për vizitën e nesërme të kryeministrit Edi Rama në Athinë, që do të nisë pas mbërritjes së tij në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00, shkruan gazeta greke “Protothema”.
Sipas mediave greke në dispozicion të takimit të kryeministrit shqiptar do të jenë qindra punonjës policie, për të siguruar kalimin e qetë të Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi dhe për të garantuar sigurinë e tij deri në momentin e largimit.
Ndërkohë sipas informacioneve të tjera nga mediat në shtetin helen, Rama vetë do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona, të cilët do të jenë anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë, të cilët do të jenë në pallatin e sportit Galatsi. Të pranishëm do të jen edhe disa kryebashkiakë.
Fjalimi i Ramës do të mbahet rreth orës 11:00. Më pas gjatë ditës, Rama do të mbajë takime me bashkëatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë.
Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.
Takimi i Ramës në Athinë është në kuadër të rienergjizimit të Partisë Socialiste dhe me diasporën kryeministrit do të takohet sërish në Milano, Londër dhe Dyseldorf.
Rama në postimin e tij në FB flet për një ”moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”. Ftesa shoqërohet me një kompozim vizual të Akropolit me flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë.