Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Netanyahu po bë xheloz Hitlerin me metodat gjenocidale në Gaza


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po e bën “xheloz” diktatorin gjerman, Adolf Hitler, me “metodat e tij gjenocidale” në Rripin e Gazës së rrethuar.

“A është e mundur të shihet se çfarë i ka shkaktuar Izraeli popullit të Gazës për muaj të tërë dhe të shihet si legjitime që Izraeli të bombardojë spitalet, të vrasë fëmijë, të shtypë civilët dhe të dënojë njerëzit e pafajshëm me uri, etje dhe mungesë ilaçesh me arsyetime të ndryshme. Çfarë bëri Hitleri në të kaluarën? Ai shtypi dhe vrau njerëz në kampet e përqendrimit”, tha presidenti Erdogan në një intervistë për gazetën greke Kathimerini.

“A nuk është kthyer Gaza në një burg të hapur jo vetëm pas 7 tetorit, por edhe vite më parë. A nuk ishin atje për vite të tëra të dënuar me burime të kufizuara, pothuajse si një kamp përqendrimi. Kush është përgjegjës për vrasjet masive brutale dhe sistematike në Gaza pas 7 tetorit”, u shpreh presidenti turk.

“Netanyahu ka arritur një nivel që do ta bënte Hitlerin xheloz me metodat e tij gjenocidale. Po flasim për Izraelin, që shënjestron ambulancat, godet pikat e shpërndarjes së ushqimit dhe hap zjarr ndaj autokolonave të ndihmave”, tha ai.

Izraeli ka vrarë të paktën 35 mijë palestinezë që nga inkursioni ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, që sipas Tel Avivit mori 1.200 jetë.

Sulmi e ka kthyer në rrënoja një pjesë të madhe të Gazës, përveç se ka shkaktuar uri dhe sëmundje të përhapura në enklavën e bllokuar që nga viti 2007.

Presidenti turk gjithashtu foli për marrëdhëniet turko-greke, duke theksuar se do të bëjnë çmos që paqja dhe stabiliteti i përjetshëm të mbizotërojnë në marrëdhëniet turko-greke.

“Na takon neve (Turqisë dhe Greqisë) të freskojmë marrëdhëniet dypalëshe, të tentojmë t’i shembim muret (paragjykimet)”, tha presidenti Erdogan për të përditshmen greke Kathimerini.

Duke komentuar lehtësimin e vizave nga Greqia ndaj qytetarëve turq, që u lejon atyre të hyjnë në disa ishuj grekë në detin Egje me një procedurë të thjeshtuar dhe të shpejtë, presidenti Erdogan tha se “kjo edhe nuk duhet të jetë e nevojshme dhe BE-ja duhet t’i japë Türkiyes liberalizimin e vizave”.