Vendosni fjalën kyçe....

Rama, Berisha, Basha.. në Athinë!


Nga Indrit Vokshi

Takimi i Edi Ramës në Athinë ishte pa dyshim takim elektoral, politik, populist me nuanca kombëtariste, deri edhe me këngën e Adem Jasharit në sfond. Kjo me qëllim për të lartësuar figurën e Edi Ramës e për ta paraqitur atë si politikan i cili mendon për shqiptarët. Shqipëria po hyn në vit elektoral dhe kjo sjellje është e pritshme dhe e kuptueshme.

Krenarë për Shqipërinë! – Slogani i Ramës.

Shqiptarët duhet të ndihen krenarë dhe ta duan Shqipërinë. Mirëpo nuk kanë arsye për tu ndjerë krenarë për qeverinë e Shqipërisë, për kryeministrin dhe për politikanët e Shqipërisë, pa dallim ngjyre partie.

Edi Rama veçanërisht nuk ka shumë arsye për tu ndjerë krenar sepse ai në vitin 2013 mori një Shqipëri me 2.8 milion banorë dhe sot kemi Shqipëri me 2 milion banorë. Shumica e shqiptarëve të emigruar janë emigrantë për mbijetesë sepse vendi i tyre nuk ua siguroi as mundësinë për mbijetesë.

Të tjerë shqiptarë po mendojnë të emigrojnë sepse sistemi ekonomik e politik në Shqipëri nuk është një sistem i favorshëm për shqiptarin e thjeshtë. Është sistem i cili e ndan shoqërinë 95 me 5; 5% janë ata që kontrollojnë paranë dhe ekonominë, ndërsa 95-% duhet të punojnë gati skllevër në ekonominë e koncesionuar dhe oligopolet e oligarkisë e, të mos munden të blejnë as apartament për të strehuar familjen. Për ketë Edi Rama ka përgjegjësi direkte sepse është autor i rëndësishëm i krijimit të këtij sistemi.

Megjithatë në spektaklin elektoral në Athinë Edi Rama ia arriti të marrë me vete atje edhe ata që quhen opozitë. Ia arriti t’i detyrojë ta komentojnë ngjarjen e tij dhe, dukeqenëse ata e komentuan në mënyrë amatore ngjarjen, Rama i mposhti në “betejën e Athinës”.

Si reagoi Opozita?

Sali Berisha, kryetari i PD-së pa Vulë, reagoi duke thënë se Edi Rama mbeti i vetmuar në Athinë sepse askush nuk e përshëndeti. Po pra, pa dyshim, Edvin Kristaq Rama më i vetmuar se kurrë, i refuzuar nga bota demokratike, i izoluar. Kjo është fabula që dëgjojmë prej 11 vjetësh; Rama i vetmuar, Rama i izoluar, Rama në overdozë etj.

E çfarë rëndësie kjo deklaratë për ne si shqiptarë? A e bën kjo deklaratë opozitën më të besueshme e më serioze? A e bën kjo deklaratë opozitën më konkuruese dhe fituese?

Paralel me të, Lulzim Basha, na tha se Rama mori me vete në Athinë njerëz nga administrata shtetërore. Basha na ka thënë identik ata që na tha z.Berisha; na ka thënë se Rama ka qenë i vetmuar, nuk e kanë pritur njerëzit prandaj është detyruar të marrë me vete administratën shtetërore. Është identik e njejta gjë, vetëm se Berisha është më origjinal ndërsa Basha e imiton Berishën dhe mendimin e Berishës e thotë me fjalët e veta. Ka ndodhur si në rastet kur një nxënësi të fillores i thuhet: mësoje mësimin por, thuaje me fjalët e tua (për tia bërë më të lehtë). Basha e ka mësuar mësimin nga Babi i Demokracisë për plot 16 vjet dhe, po na thotë po mësimin e Babit, veçse me fjalët e veta.

Çfarë vlerë ka deklarata se Rama mori me vete njerëz nga administrata shtetërore? A e bën kjo opozitën më të besueshme e më serioze? Nuk ka asnjë vlerë kuptimore e konceptuale. Është bosh.

Si duhej të reagonte Opozita?

Opozita shqiptare duhet tu thoshte shqiptarëve çfarë mendon ajo për shqiptarët në Greqi! Duhet tu thoshte përshembull, a do të investojë e a do të luftojë ajo që ne të kemi më shumë shkolla shqipe në Greqi? Duhet tu thoshte a do të ndajë buxhet për arsimin shqip në Greqi.

Duhet tu thoshte, ata mijëra shqiptarët të cilët në 30 vjet kanë grumbulluar miliona e miliarda euro kursime, a do t’i ftojë që kursimet e tyre t’i investojnë në Shqipëri? Pra a do tua lehtësojë investimin e parave në Atdhe apo edhe opozita ka ndërmend ta mbajë tregun shqiptar peng të oligopoleve dhe oligarkisë, siç bën Edi Rama. Këto duhet të thoshte opozita sot, mirëpo nuk i tha.

E një gjë është e padiskutueshme, Edi Rama s’ka asnjë arsye për tu ndjerë krenar sepse praktikisht ka dëmtuar e sakatuar Shqipërinë. Ama ai ka një arsye të fortë për tu ndjerë me fat, sepse personat të cilët supozohet se do ta konkuronin, do ta delegjitimonin e do t’ia merrnin pushtetin, thjesht po e legjitimojnë e po i japin oksigjen, duke e lejuar Ramën të jetë “ylli i vetëm në skenën e politikës”.