Vendosni fjalën kyçe....

Takimi në Athinë/ Rama: Asnjë mesazh për rastin Beleri, vizita s’është ndërhyrje në zgjedhje


Teksa është nisur drejt Athinës, për takimin me emigrantët shqiptarë, kryeministri Edi Rama në një prononcim për median greke ‘Kthimerini’ thotë se në fjalimin e tij nuk ka në plan të që të flasë për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, në burg për blerje votash.

“Në Tiranë po bëjmë një betejë historike. Ne duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane”, tha Rama për Kathimerini.

Rama thotë për median greke se janë në një ‘betejë’ për t’i dhënë për herë të parë drejtësisë në Shqipëri pavarësinë nga pushteti politik. Kreu i qeverisë bën të qartë, se mes rastit të Belerit dhe zyrtarëve të PS që janë dënuar nuk ka asnjë ndryshim, duke shtuar se nuk ka asnjë arsye përse t’i drejtohet komuniteti shqiptar në Greqi mbi këtë rast.

“Historia e gjatë e imunitetit për politikanët po përfundon dhe nuk shoh asnjë ndryshim midis rastit që ju referoni në Greqi dhe atyre të kryebashkiakëve dhe ministrave nga partia ime që janë dënuar, ndonjëherë për diçka më pak të rëndë se blerja e votës. Nuk ka asnjë arsye për t’iu referuar këtij rasti kur flas me komunitetin e madh shqiptar në Greqi”.

Vizita e Ramës ka ngjallur shumë polemika në shtetin helen, pasi përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Belerit, por vjen edhe para zgjedhjeve për parlamentin europian. Sa i takon pyetjes, nëse kjo është një ndërhyje në zgjedhje, Rama thotë se Greqia është një shtet i pavarur dhe se kjo vizitë nuk është ndërhyrje në zgjedhje, ndryshe nga disa politikanë greke që ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Kryeministrin grek Rama e konsideron si një mik të mirë dhe që e respekton shumë, ndërsa shton se Mitsotakis është i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.

 “Ajo që kam mësuar duke parë më nga afër lajmet në shtëpi është se ju jeni edhe më mirë se ne në sajimin e teorive konspirative, duke i kthyer thashethemet në fakte dhe më pas duke i përdorur ato si provë për shumë përfundime të pabaza. Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë. Unë besoj se ai është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij me të cilin kam punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Gjithashtu, Greqia është një shtet i pavarur ku as që mund të mendoj të ndikoj në zgjedhje, gjë që e kuptoj megjithatë mund të jetë e vështirë për t’u besuar për disa politikanë grekë apo propagandistë mediatikë që ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë”, shkruan Kathimerini.