Vendosni fjalën kyçe....

“Final-Four”/ Shorti zbulon dy çiftet gjysmëfinaliste që do ndezin stadiumin “Air Albania”


Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu, katër ekipet pjesëmarrëse në “final-four”, kanë mësuar rrugën e tyre drejt titullin kampion.

Këtë të hënë, në “Air Albania”, në stadiumin ku do të zhvillohen ndeshjet e fundit të këtij sezoni, janë përcaktuar dy çiftet gjysmëfinaliste me anë të shortit. Goglat vendosën përballë në këtë fazë Egnatia-Vllaznia, Partizani-Skënderbeu

Të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më datë 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 maj.

Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

 

SI FUNKSIONON “FINAL 4”

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

 

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmefinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

 

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4