Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet e TIMS/ Salianji përplaset me socialistët: Duam të thërrasim dëshmitarët për atë që supozojmë, ju doni të bllokoni planin


Debatet në mbledhjen e Komisionit Hetimor për sistemin TIMS nuk kanë munguar as këtë të hënë.

Socialistët kërkuan ndryshimin e kalendarit për thirrjen e dëshmitarëve, me qëllim që të pyetet fillimisht Prokuroria e cila gjithashtun po heton rrjedhjen e të dhënave.

Kreu i komisionit hetimor, Ervin Salianji kundërshtoi propozimin e mazhorancës, duke deklaruar se PS po tenton sërish të bllokojë punën e komisionit.

Sipas tij, socialistët vijnë në komision për të bërë tallava dhe pas çdo mbledhje pendohen për ato që kanë dhënë votat dhe kanë miratuar në mbledhjen paraardhëse.

 

Pjesë nga debati

Xhemal Qefalia: T’i nisim shkresën Prokurorisë. Të gjithë këto individë që janë thirrur nga Prokuroria, të dërgohet shkresa e firmosur nga kryetari dhe nënkryetari, ta pyesim Prokurorinë a jemi në kushtet ligjore për t’i thirrur? Kalendarin e thirrjes së dëshmitarëve ta miratojmë pa data. Nisim shkresat dhe të vazhdojmë sa më shpejt.

Ervin Salianji: Ju lutem! Tallava nuk e kthejmë dot, nuk e bëjmë dot, as për të tallur ndonjë gjë nuk e tallim dot. Kemi rënë një dakordësi për këtë kalendar. Ça thoni do miratojmë dëshmitarët pa datë? Është plani i hetimit pa datë, ça do miratojmë ne? Jemi këtu për të zbatuar planin e hetimit të dakordësuar vetëm me një votë kundër. Ju thoni planin e hetimit që kemi miratuar, ta miratojmë prap. Doni ta mbani zvarr prap? Për pyetjen si dëshmitarë të personave që do të thirren nga Prokuroria, Gjykata për procesin penal të lidhur eventualisht me çështjen objekt hetimi, komisioni merr leje paraprakisht. Ne nuk kemi këtë objekt, nuk kemi punë me Prokurorinë, kërkojmë të pyesim dëshmitarët se çfarë ka kërkuar keq. Duam të thërrasim dëshmitarët për atë që supozojmë, për grup të strukturuar kriminal. Ju doni të bllokoni planin. Sa herë vini në mbledhjen pasardhëse, e keni problem se çfarë keni miratuar në mbledhjen e kaluar. A doni të biem dakord? T’i thërrasim të mërkurën dhe të rrimë deri të premten…I thërrasim të gjithë. Do bëjmë një miratim të logjikshëm? Ju thoni të vinë këta të dy, pastaj të shohim a do ftojmë ca të tjerë…