Deklaratat e presidentes së sapozgjedhur tëMaqedonisë së Veriut kanë shkaktuar jo pak tensione në vendet fqinje. Gordana Siljanovska Davkova tha se ajo ka të drejtë të përdorë emrin “Maqedoni” pavarësisht reagimeve të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar e vendet fqinje të BE-së, Greqia e Bullgaria.
Në një deklaratë nga zyra e saj për shtyp thuhet se Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut “ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”.
Por, në deklaratë sqarohet se “Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues”.
“Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi është nënshkruar me emrin kushtetues”, vijon në deklaratë.
Sipas Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës të vitit 2018, emri dhe kushtetuta e vendit u ndryshuan, duke lejuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në NATO në vitin 2020 dhe të fillojë procesin e anëtarësimit të saj në BE.