Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) do të dalë sot në një konferencë për media për të njoftuar me ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë. Këtë javë mbyllet procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i cili ka filluar më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.
Zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave, Hazbije Qeriqi, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë deri tani ka shkuar mirë, me pak sfida që ASK ka pasur gjatë punës në terren. “Deri më tani procesi ka shkuar mirë janë mbi 1 milion e 300 mijë që janë regjistruar brenda në Kosovë dhe afërsisht rreth 400 mijë që janë regjistruar në dy mënyrat me platformën elektronike E-Diaspora dhe me pyetësorin, me regjistruesit tanë që janë marrë përmes familjarëve të tyre”, -tha Qeriqi.
Qeriqi tha se Ligji e parasheh që ata që refuzojnë të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë do t’i prekë dënimi deri në 2 mijë euro për individ. Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.