Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha të hënën se ishte i hapur për të lejuar armët bërthamore amerikane në tokën suedeze në kohë lufte, njoftoi media vendase.
Komentet e Kristerssonit vijnë në kohën kur parlamenti është caktuar të votojë në qershor mbi projektligjin e qeverisë mbi një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me SHBA-në.
E ashtuquajtura marrëveshje DCA i jep ushtrisë amerikane të drejtën të përdorë 17 baza ushtarake suedeze në gjithë vendin dhe të lejojë ruajtjen e pajisjeve ushtarake dhe armëve në vendin skandinav.
Marrëveshja është kritikuar sepse, ndryshe nga Danimarka dhe Norvegjia, asaj i mungon informacioni për ndalimin e armëve bërthamore në Suedi. Qeveria beson se nuk është e nevojshme sepse ka një vendim parlamentar se nuk duhet të ketë armë bërthamore në territorin suedez në kohë paqeje.
Megjithatë, Kristersson beson gjithashtu se duhet konsideruar pasja e armëve bërthamore në rast lufte në Suedi.
“Në një situatë lufte, është një çështje krejt tjetër. Nëse ndodh më e keqja, vendet demokratike në pjesën tonë të botës sigurisht që duhet të jenë në gjendje të mbrohen kundër vendeve që mund të kërcënojnë me armë bërthamore,” tha ai në një intervistë me Radion Suedeze.
“I gjithë anëtarësimi ynë në NATO dhe i gjithë qëllimi ynë i mbrojtjes suedeze është të parandalojmë që kjo situatë të ndodhë. Nëse Ukraina do kishte qenë anëtare e NATO-s, nuk do ishte sulmuar nga Rusia”, tha Kristersson.
Suedia i është bashkuar zyrtarisht NATO-s më 7 mars, duke i dhënë fund dekadave të asnjanësisë pas një pritjeje gati dyvjeçare që filloi në maj 2022, kur vendi nordik paraqiti aplikimin e tij për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore përkrah Finlandës fqinje.
Kryeministri theksoi se vendimi për vendosjen e armëve bërthamore në tokën suedeze do të merret nga Suedia, jo nga SHBA.
“Suedia vendos mbi territorin suedez,” tha ai.