Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Ofensiva ruse duhet të ndalet



Ukraina po i kundërpërgjigjet ofensivës që filloi ushtria ruse para pak ditësh në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski bën thirrje për ndalimin patjetër të ofensivës.

Ofensiva e fundit ruse në lindje të Ukrainës po has në rezistencë të fortë pasi Ukraina ka filluar kundërsulme në rajonin e Kharkovit.

Për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski ndalimi i përparimit të trupave ruse mbetet detyra kryesore më urgjente, trupat duhet “t’i rikthejnë Ukrainës iniciativën”, tha ai në një fjalim me video në fundjavë.

Presidenti ukrainas, theksoi se “përmbushja e kësaj detyre varet nga çdo ushtar, çdo nënoficer, dhe çdo oficer”.

Megjithatë gjendja mbetet e vështirë. Kreu i trupave të armatosura ukrainase, Oleksandr Syrskyj foli të dielën për gjendje të vështirë në verilindje të vendit. Por trupat ukrainase po bëjnë të pamundurën për të ruajtur pozicionet.

Trupat tona prej dy ditësh po zhvillojnë kundërsulme”, e përshkroi Zelenski situatën. Kievi ka dërguar ndërkohë përforcime në drejtim të Kharkovit.

“Shkatërrimi i planeve të ofensivës ruse është tani detyra numër 1″, bëri të ditur Zelenski si parashikim për javët dhe ditët e ardhshme”, duke shtuar se pushtuesi duhet ta dijë, se askund nuk do ta ketë të lehtë në Ukrainë.