Një gjykatë në Kazakistan dënoi të hënën një ish-ministër me 24 vjet burg për rrahjen brutalisht të gruas. Kuandyk Bishimbayev, 44 vjeç, u shpall fajtor për torturimin dhe vrasjen e 31-vjeçares Saltanat Nukenova.
Vrasja tronditëse ndodhi në fillim të nëntorit të vitit të kaluar në një restorant në kryeqytetin e vendit Astana, ku të dy me sa duket ishin takuar për të zgjidhur problemet e tyre përpara se Bishimbayev i dehur të vriste gruan.
Provat e paraqitura në gjykatë sugjeronin se Nukenova kishte tentuar të linte të shoqin disa herë, duke pretenduar se ai e kishte rrahur në disa raste.
Pamjet e kamerave të sigurisë që u shfaqën gjatë gjyqit thuhet se treguan Bishimbayev duke grushtuar dhe shkelmuar vazhdimisht gruan e tij dhe duke e tërhequr zvarrë për flokësh në një dhomë ndërsa ishte pothuajse lakuriq. Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat ish-ministri u përpoq t’i shkatërronte, thuhet se ishin aq të rënda sa anëtarët e jurisë u përlotën duke e parë.
Video u gjetën gjithashtu në telefonin celular të Bishimbayev që tregonin atë duke poshtëruar dhe fyer gruan e tij të mavijosur dukshëm në orët e fundit para vdekjes së saj.
Gjatë gjyqit, Bishimbayev pranoi se kishte rrahur gruan e tij, por mohoi të kishte torturuar ose planifikuar ta vriste atë. Ai gjithashtu pohoi se disa nga lëndimet e saj ishin vetëshkaktuar.
Vrasja shkaktoi dënim të zëshëm publik dhe ndihmoi në rritjen e mbështetjes për një ligj të miratuar së fundmi që kriminalizon dhunën në familje.
Bishimbayev u dënua përfundimisht për “vrasje përmes mizorisë së veçantë” dhe “torturë”, por dënimi me burg që mori ishte më pak se dënimi i përjetshëm që kishte kërkuar familja e gruas së tij.
Kushëriri i politikanit, Bakytzhan Baizhanov, u burgos me katër vjet pasi e ndihmoi të mbulonte krimin.
Bishimbayev shërbeu si ministër i Ekonomisë i Kazakistanit nga maji deri në dhjetor 2016 nën presidentin e atëhershëm të vendit Nursultan Nazarbayev, me të cilin thuhet se kishte një marrëdhënie të ngushtë.
Ai ishte dënuar më parë me dhjetë vjet burg për akuzat për korrupsion në vitin 2018, përpara se të falej nga Nazarbayev pasi kishte kryer më pak se dy vjet.