Vendosni fjalën kyçe....

Meta intervistë për median pakistaneze: Të ridimensionojmë lidhjet Pakistan-Shqipëri


Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë thirrje për ridimensionimin e marrëdhënieve Pakistan-Shqipëri në një bisedë ekskluzive për The Pakistan Daily.

Meta, i cili është edhe kreu i Partisë së Lirisë, ka pasur lidhje të thella dhe historike me lidershipin pakistanez, përfshirë edhe kreun supreme të PMLN-së, Nawaz Sharif.

“Për ne, një mik qëna gjindet në nevojë është mik i vërtetë,” tha Meta, duke kujtuar kohën kur kryeministri Naëaz Sharif vizitoi Shqipërinë gjatë Luftës në Kosovë në 1999.

Meta vlerësoi mbështetjen e Pakistanit dhe shprehu dëshirën për të zgjeruar më tej marrëdhëniet dypalëshe mes Pakistanit dhe Shqipërisë.

Kjo vjen pasi Zyra e Jashtme e Pakistanit gjithashtu kërkon të bëjë depërtime në rajonin e Ballkanit.

Meta konsiderohet si një mik i Pakistanit që mund të luajë rolin e një ure për afrimin e dy vendeve.

“Partia e Lirisë qëndron për forcimin e marrëdhënieve me kombet mike dhe Pakistani është mes tyre”, tha Meta, duke shtuar: “Ne kemi lidhje të përbashkëta historike dhe të dyja vendet tona janë paqedashëse, kanë qëndruar të vendosur kundër terrorizmit dhe konfliktit dhe janë aleatë në një shkallë më të gjerë, në përballimin e sfidave të sigurisë dhe zhvillimit të kohës sonë.”

Shqipëria konsiderohet të jetë një aleat i vlefshëm me shumë potencial për të rritur marrëdhëniet me Pakistanin, pasi është anëtare e NATO-s dhe i vetmi komb evropian që është gjithashtu pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Në bisedën ekskluzive me “The Pakistan Daily”, Meta theksoi se interesi i Shqipërisë për Azinë Jugore po rritet duke qenë se rajoni po bëhet i rëndësishëm për ekonominë dhe tregtinë botërore dhe disa nga korridoret më të rëndësishme tregtare mes Perëndimit dhe Lindjes kalojnë nëpër këto rajone.

“Unë parashikoj që Shqipëria të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve dhe për rrjedhojë të rrisë praninë e saj në Pakistan”.

Diaspora pakistaneze shpreson të shohë Presidentin Ilir Meta në Pakistan për të çimentuar më tej marrëdhëniet jo vetëm mes lidershipeve politike të vendeve, por edhe mes njerëzve.

Në vizitën e tij, Meta pritet të vizitojë universitetet dhe të takohet me gazetarë dhe organizata mediatike, si dhe të zhvillojë takime të nivelit të lartë me liderë politikë.

I konsideruar si vizionar në ndërtimin e marrëdhënieve shumëdimensionale, Meta tha: “Bashkëpunimi ynë me Pakistanin mund të intensifikohet në organizata rajonale dhe shumëpalëshe, ku kemi miq dhe aleatë të përbashkët, si SHBA-të, por edhe në nivel dypalësh kanë shumë potencial për të eksploruar. Duke filluar me shkëmbimet tregtare, kulturore dhe arsimore, madje edhe rivendosjen e lidhjeve të drejtpërdrejta të fluturimit midis dy kryeqyteteve tona.”

Meta beson se tregtia mes Pakistanit dhe Shqipërisë mund të ketë përfitim të ndjeshëm për të dyja vendet pasi ka mundësi si për investitorët pakistanezë ashtu edhe për shqiptarët të marrin në konsideratë tregjet përkatëse të njëri-tjetrit për investime.

“Shqipëria do bëhet qendër e investimeve të huaja në Ballkan dhe investitorët pakistanezë do jenë shumë të mirëpritur. Programi ynë për Zonat e Lira bazuar në modelin maqedonas do jetë shumë i suksesshëm sepse ne kemi një vendndodhje të shkëlqyer strategjike në zemër të Mesdheut dhe Evropës Juglindore”, tha Meta për The Pakistan Daily.