Të paktën 14 njerëz vdiqën dhe mbi 60 u plagosën të hënën kur një tabelë gjigante 30 metra e gjatë u rrëzua në tokë nga një stuhi e papritur në lagjen Ghatkopar të Mumbait. Struktura ra mbi një pikë karburanti dhe ndërtesë banimi aty pranë, sipas raporteve të mediave indiane.
Mbi 60 persona janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa dhjetëra dyshohet se janë ende të bllokuar. Kryeministri i shtetit Maharashtra, Eknath Shind, njoftoi se familjet e atyre që humbën jetën do kompensohen financiarisht ndërsa udhëzoi autoritetet që të kryejnë një auditim të të gjitha tabelave në qytet.
Në një postim në X, zëvendësi i tij Devendra Fadnavis tha se qeveria e shtetit ka urdhëruar një hetim mbi incidentin.
Duke folur më vonë për mediat, ai vuri në dukje se kishte pasur “disa parregullsi” në lejimin e ndërtimit të strukturës.
Komisioneri komunal i Mumbait, Bhushan Gagrani i tha Hindustan Times se struktura ishte “e paligjshme”.
“Ne do kontrollojmë licencat e të gjitha tabelave në Mumbai dhe nëse nuk kanë licenca, ato do konsiderohen të paligjshme,” tha ai, duke shtuar se autoritetet do urdhëronin një auditim strukturor të të gjitha tabelave në qytet, i cili është duke parë një bum masiv ndërtimi.
Struktura u shemb për shkak të reshjeve josezonale, të shoqëruara nga një stuhi pluhuri dhe rrufe. Ndryshimi i motit çoi gjithashtu në aksidente rrugore, anulime të fluturimeve dhe trenave, si dhe në prerje të ujit.
Qyteti ka përjetuar një rritje të aktivitetit ndërtimor gjatë viteve të fundit, me ndërtimin aktiv të rrugëve dhe metrosë dhe rizhvillimin e vazhdueshëm të zonave të banuara nëpër vende të shumta në një qytet me mbi 20 milionë banorë.