Vendosni fjalën kyçe....

Si e ka rritur frikshëm dhunën dhe pasigurinë në Evropë “autostrada e kokainës” – Bloomberg


Trafikimi në rritje në portin e Antwerp-it e ka bërë qytetin kryeqytetin e kokainës në Evropë, sipas Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat

Në një natë të ftohtë marsi, policia portuale në portin e Antwerp-it të Belgjikës kapi tre të rinj që zvarriteshin mbi një gardh me tela me gjemba në një nga kalatat e tij. Disa netë më vonë, dy të tjerë u kapën në të njëjtën zonë. Pesë adoleshentët – tre prej tyre të mitur – ishin të gjithë holandezë dhe po kërkonin një gjë: një ngarkesë kokaine.

Rritja e shpeshtësisë së incidenteve të tilla është një shenjë e qartë se si bandat kriminale, shpesh duke përdorur të mitur që marrin dënime më të lehta, e kanë kthyer paturpësisht portin e dytë më të madh të Evropës në një pikë kyçe hyrëse të asaj që është kthyer në një autostradë kokaine.

Konfiskimet e kokainës nëpër Antwerp janë rritur më shumë se 20 herë gjatë dekadës së fundit, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Me pranimin e vetë shërbimit doganor belg, ajo arrin të kapë vetëm 10% deri në 40% të kokainës që vinte përmes portit – duke vënë në dukje se edhe kjo masë mund të jetë shumë e largët pasi shkalla e problemit është e vështirë të përcaktohet.

Mbi 5 ton kokainë u zbulua në një bastisje të Policisë Federale në një magazinë në rrethin Wilrijk të Antwerp më 10 prill

Agjencia e drogës e Bashkimit Evropian vendos vlerën minimale të shitjes me pakicë të tregut të lëndëve substancave të paligjshme të bllokut në 31 miliardë euro, me një vlerë rrugore prej rreth 120 tonelatash kokainë të kapur në portin më të madh të Belgjikës në 2023 në miliarda euro nga vlerësimet më konservatore.

Me drogën që vërshon në lagjet tashmë të trazuara të qyteteve në gjithë Evropën, duke sjellë dhunë me armë dhe luftëra bandash, çështja po bëhet një çështje që politikanët nuk mund ta anashkalojnë më. Ajo po cek gjithashtu në zgjedhjet e ardhshme kombëtare të Belgjikës më 9 qershor. Qeveria belge, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, e ka bërë luftën kundër drogës një prioritet kryesor dhe po mbledh mbështetjen nga shtetet e tjera anëtare.

“Nuk është problemi i Antwerp. Nuk është problem i Brukselit. Nuk është problem i Belgjikës. Nuk është problem i Europës. Është një problem mbarëbotëror,” tha ministri i Drejtësisë Paul Van Tigchelt në një intervistë në zyrën e tij në Bruksel, duke vënë në dukje se vendi nuk mund ta trajtojë vetë sfidën e krimit të drogës.

Ministri belg i Drejtësisë Paul Van Tigchelt

Trafikimi në rritje në port e ka bërë Antwerp-in në kryeqytetin e kokainës në Evropë, sipas të dhënave të ujërave të zeza të mbledhura në 88 qytete nga 24 vende nga një agjenci e BE-së e quajtur Qendra Evropiane e Mbikëqyrjes për Drogën dhe Varësinë nga Droga. Pesë qytete nga Holanda gjithashtu hynë në dhjetëshen që kryeson.

Përpjekjet për të adresuar këtë çështje kanë përfshirë rritjen e skanimit të kontejnerëve të transportit, sigurinë e shtuar në porte dhe krijimin e një aleance portuale në mbarë rajonin për të frenuar të ashtuquajturin efekt të shtratit të ujit, ku forcimi i sigurisë në një vend shtyn trafikun në një vend tjetër. Megjithëse hapat janë një fillim i mirë, ata nuk shkojnë aq larg sa duhet për të adresuar problemin, thotë Bart De Wever, i cili ka qenë kryebashkiak i Antwerp-it për 11 vitet e fundit.

“Ka shumë pak buxhet për të marrë masa të vërteta që mund të bëjnë një ndryshim,” tha De wever në një intervistë.

“Ta çrrënjosësh atë është e pamundur, por ta kufizosh atë, të themi, në një nivel të pranueshëm, duhet të jetë e mundur. Nëse kjo nuk është ambicia jonë, atëherë thjesht kemi hequr dorë.”

Madhësia e portit të Antwerp – e barabartë me më shumë se 22,000 fusha futbolli – dhe shkalla e madhe e mallrave që trajton e kanë bërë atë një vend të ëmbël për tregtarët, duke e kthyer Belgjikën në një qendër tranziti. Sasia e mallrave të shkarkuar dhe ngarkuar është më shumë se dyfishuar gjatë dy dekadave, me 271 milionë ton të trajtuar vitin e kaluar.

Porti është destinacioni kryesor evropian për mallrat e Amerikës Latine, burimi kryesor i kokainës që hyn në rajon, duke e bërë atë një objektiv të dukshëm për kartelet e drogës. I shtrirë në një territor më të madh se Parisi, porti trajton mbi 12 milionë kontejnerë çdo vit, duke krijuar një sërë sfidash për policinë – dhe mundësi për krimin e organizuar.

Një njësi doganore K9 inspekton arkat gjatë një demonstrimi nga autoritetet doganore belge dhe holandeze mbi përgjimet e kokainës, në Portin e Antwerp në janar 2023

Në një ngjarje javën e kaluar, policia detare e Antwerp-it përshkroi një taktikë të shpeshtë: përdorimin e kontejnerëve si Kalë Troje, ku të rinjtë fshihen brenda kontejnerëve të zbrazët që zhvendosen në port, në mënyrë që ata të mund të dalin fshehurazi dhe të marrin kokainën nga një kontejner tjetër në hyrje. Ata kthehen në kontejnerin e tyre origjinal, i cili më pas merret nga porti. I gjithë operacioni shpesh zgjat disa ditë.

Ndërsa konfiskimet e drogës në portet e Evropës kanë vazhduar të shënojnë rekorde të reja çdo vit, është dashur përhapja e dhunës në jetën e përditshme për të nxitur një përgjigje nga autoritetet. Të shtënat janë bërë pothuajse një dukuri javore në Bruksel, madje edhe në lagjet më luksozë të kryeqytetit. Të dhënat e gjurmuara nga gazeta e përditshme Le Soir tregojnë se numri i të shtënave është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit, shoqëruar me bomba në Flanders dhe kërcënime kundër zyrtarëve publikë.

Linja holandeze

Sapo kokaina arrin në Antwerp, rreth 90% e saj besohet nga zyrtarët doganorë belgë se do kalojë përtej kufirit holandez për t’u trajtuar dhe ndarë përpara se të dërgohet në gjithë Evropën përmes një rrjeti labirint tregtarësh dhe banditësh.

Ndërsa Roterdami dikur ishte një port i parapëlqyer i hyrjes për mallin e papërpunuar, siguria e shtrënguar atje e shtyu tregtinë drejt Antwerp.

Zyrtarët holandezë kanë kapur një sasi në rritje kokaine vitet e fundit. Konfiskimet u rritën me 18% në 60,000 kilogramë në 2023 nga një vit më parë, sipas të dhënave doganore të Holandës. Vetëm në një rast, autoritetet holandeze në portin e Roterdamit vitin e kaluar sekuestruan një rekord prej 8,064 kilogramësh kokainë që ishte fshehur në një kontejner me banane, me një vlerë rekord në rrugë prej 600 milionë euro.

Në vitin 2022, Bloomberg raportoi për bandat ballkanike që vepronin në Holandë dhe Belgjikë që depërtuan në ekuipazhet e anijeve që trajnsportojnë kontejner për më shumë se një dekadë. Ata përdorën skafe, ryshfet dhe kërcënime për të hipur ngarkesat e tyre në bord.

Një tjetër metodë e shpeshtë e kontrabandës së kokainës përmes anijeve me kontejnerë përfshin ngjitjen e drogës në byk nën ujë duke përdorur magnet, litarë apo edhe saldim, sipas autoriteteve holandeze. Kapja e dërgesave të tilla kërkon zhytje nën ujë për të inspektuar bykun e anijeve gjigante. Një ekip zhytjeje nga doganat holandeze është vendosur në Antëerp për të ndihmuar autoritetet belge me inspektime të tilla, sipas Sekretarit të Shtetit të Holandës për Doganat, Aukje de Vries.

Një zhytës doganor gjatë një demonstrimi nga autoritetet doganore belge dhe holandeze për përgjimet e kokainës

Ishte vrasja në vitin 2019 e Derk Wiersum, një avokat që mbron një dëshmitar kyç në një rast të vrasjeve të lidhura me drogën, e ndjekur nga vrasja e reporterit të krimit Peter R. de Vries në vitin 2021 që e solli çështjen në fokus në Holandë. Dhuna e lidhur me drogën në vend është rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit me më shumë se 250 shpërthime shtëpish vetëm këtë vit të lidhura me luftërat e bandave, sipas policisë holandeze.

Sulmet e papara

Në Belgjikë, pika e kthesës erdhi kur një vajzë 11-vjeçare u vra në shkëmbimin e zjarrit nga të shtëna lidhur me drogën vitin e kaluar. Ish-ministri i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, gjithashtu kaloi muaj të tërë nën mbrojtje gjatë gjithë kohës, duke u strehuar në shtëpi të sigurta pas kërcënimeve për rrëmbim. Në Francë, disa periferi të qyteteve si Parisi dhe Marseja shohin beteja të rregullta për kontrollin e terrenit midis bandave.

“Po përkeqësohet”, tha komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson në një intervistë të fundit.

“Meqenëse kemi këto konfiskime rekord, ne gjithashtu shohim se çmimet nuk po rriten dhe pastërtia po rritet, kështu që do të thotë se ka shumë kokainë të disponueshme në tregun evropian.”

Ndryshe nga SHBA-të, vendet anëtare të BE-së nuk kanë bërë kurrë një luftë zyrtare kundër drogës.

Autoritetet mësuan në mënyrën më të vështirë se sa pak kriminelët shqetësoheshin për kontrollet doganore në porte, thotë Kristian Vanderwaeren, kreu i shërbimit federal doganor të Belgjikës.

Zbërthimi i shërbimeve telefonike të koduara Encrochat dhe Sky ECC në 2020 dhe 2021 çoi në mijëra arrestime dhe kapjen e qindra miliona eurove të ardhura të paligjshme nga veprimtaria kriminale. Hetimi i dha zbatimit të ligjit një pasqyrë të paparë në rrjet dhe, thotë Vanderwaeren, shembuj se si kriminelët “talleshin” me zyrtarët në kontrollet e portit, diçka që ai mendon se ka filluar të ndryshojë.

Kreu i shërbimit federal doganor të Belgjikës, Kristian Vanderëaeren shfaq një fshirje reaktive nga kokaina e gjetur në një kontejner në Portin e Antwerp në korrik

Guximi i bandave u duk kur gjatë një muaji nga fundi i vitit të kaluar ata bënë tre përpjekje për të marrë mbrapsht ngarkesat e kokainës që ishin sekuestruar nga Porti i Antëerp-it, të armatosura në një rast me armë automatike dhe në një rast me hanxharë.

“Ishte e  papërfytyruesyhme, krejt jashtë kontrollit,” tha Vanderwaeren në një intervistë.

“Unë me të vërtetë kisha frikë për sigurinë dhe jetën e njerëzve të mi.” Ai mendon se këto sulme janë dëshmi se zyrtarët e tij më në fund kanë filluar të ndikojnë në biznesin e bandave të drogës, me sekuestrimin e sasive të papara të kokainës në port.

“Ne duhet të qëndrojmë këtu dhe t’ua bëjmë jetën e tyre sa më të vështirë të jetë e mundur,” tha Ministrja e Brendshme belge Annelies Verlinden javën e kaluar në një intervistë.

Më shumë inspektime

Autoritetet belge planifikojnë të rrisin skanimin e kontejnerëve në hyrje, duke synuar vitin e ardhshëm të dyfishojnë kapacitetin aktual prej 40,000 në vit dhe të vazhdojnë të rrisin mnikëqyrjen derisa të pengojnë rrjedhën e kokainës, sipas Vanderwaeren. Punonjësit e portit, të cilët numërojnë 16,000 në Belgjikë, do t’i nënshtrohen gjithashtu kontrolleve më të rrepta të sigurisë.

Në nivel të BE-së, Johansson përcaktoi një hartë rrugore vitin e kaluar, me një fokus të veçantë në përforcimin e porteve. Ai përfshinte krijimin e një Aleance Portesh, një forum zyrtarësh të portit dhe të sigurisë, i cili ka nisur të ngrihet.

Krerët e porteve kanë ndarë frikën që kanë për punëtorët e tyre, veçanërisht me kriminelët që punojnë për t’i korruptuar dhe frikësuar, sipas një zyrtari të komisionit.

Një doganier në portin e Roterdamit. Siguria e rreptë atje e shtyu tregtinë drejt Antwerp

Kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, ka sugjeruar legalizimin dhe rregullimin, jo vetëm të kanabisit, por edhe të lëndëve si kokaina. Është një pikëpamje që nuk ndahet gjerësisht mes zyrtarëve të BE-së dhe ministrave kombëtarë. Zyrtarët thonë se mënyra për të goditur krerët e krimit të organizuar është kufizimi i pandëshkueshmërisë së tyre dhe sekuestrimi i pasurive të tyre.

Zyrtarët belgë kanë kërkuar të bëjnë përparim në ekstradimet nga vendet ku kriminelët përpiqen të fshihen, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Marokun dhe Turqinë, dhe kanë bërë thirrje për më shumë presion ndërkombëtar mbi ato vende. Në mars, Belgjika siguroi një urdhër ekstradimi të kërkuar prej kohësh nën akuzat e trafikut të drogës nga Dubai, të cilin ministri Van Tigchelt e përshëndeti si një shenjë përparimi të rëndësishëm.

“Nuk ka asnjë zgjidhje me urdhrin e peshkut,” tha ai në një intervistë të veçantë javën e kaluar në Portin e Antwerp.

“Ne kurrë nuk do ta ndalojmë kokainën, nuk do ta fitojmë kurrë luftën. Por jam i bindur se mund të thyejmë shtyllën kurrizore të mafies, modelin e biznesit të mafias.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani