Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infranstrukturës prej më shumë se tre orësh u mor në pyetje në Prokurorinë e Posaçme nga Prokurori Dritan Prençi.
Në dalje, Ministrja Belinda Balluku dha një deklaratë për mediat ku foli se pse është pyetur nga SPAK.
Balluku tha se u pyet për dosjen e inceneratorëve ku dha sqarime që sipas saj do shërbejnë për zbardhjen e dosjes.
Ajo theksoi se ka ardhur koha që të zbardhet dosja dhe të ndahet kush ka bërë punë të ndershme dhe kush ka abuzuar.
“Ishte një thirrje për dosjen 225 që është dosja e inceneratorëve. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet të ndahet puna e ndershme nga abuzimi pafalshëm. Kjo është ndarja e re e pushteteve, drejtësia ka punën e saj, qeveria ka punën e saj dhe parlamenti punën e tij”-deklaroi zëvendëskryeministrja.