Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu përsëriti gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme për “Gërdecin” se procesi ndaj tij ishte i motivuar politikisht dhe se po kërkohej të bëhej “kokë turku”.
Ai bëri thirrje që seancat të jenë të hapura për mediat dhe publikun. Seanca e sotme, ku Mediu kërkoi aktekspertim të ri për dëmin ekonomik, u shoqërua me përlasje të ashpër mes dy familjarëve të viktimave nga shpërthimi i 15 marsit 2008 në Gërdec dhe ish-ministrit Mediu e avokatit të tij Ardian Visha.
“Akuzohem për Gërdecin, kur kam dhënë dorëheqjen dhe lashë mandatin, dua të përballem me ligjin, jo akuza politike, për Gërdecin po kërkohet një kokë turku. Me këto përplasje, ky nuk është proces gjyqësor, por proces politik. Seancat të jenë të hapura për mediat, ta shohin shqiptarët si bëhen gjyqet në GJKKO. Ekspertët janë të paligjshëm, pse nuk pranoni të bëni eksperiment si ndodhi shpërthimi? Ky është proces i pabazë, ushtarakët e NATO nuk i pranuat, nëse vijoni kështu, unë do publikoj qëndrimet e tyre.” – deklaroi Mediu.