Të tjera hollësi janë zbuluar lidhur me arrestimin e 40-vjeçarit nga Lezha në Durrës, i cili u ndalua mëngjesin e sotëm në një apartament të marrë me qira në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Dyshohet se Aleks Marku ka qenë nën efektin e drogës dhe se ka pasur konflikte të vazhdueshme me bashkëshorten e cila ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Pas largimit të kësaj të fundit drejt Italisë, 40-vjeçari ka marrë një apartament me qira javore te Shkëmbi i Kavajës, duke pasur me vete edhe dy fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç, ndërsa orët e para të mëngjesit të sotëm nga apartamenti janë dëgjuar të shtëna me armë.
Pas kësaj banorët e tjerë kanë njoftuar policinë dhe pas disa orësh negociata dhe ndërhyrjes së RENEA-s, Marku është kapur. Në videon e publikuar nga policia duket 40-vjeçari i cili del nga banesa me cigare në dorë dhe i zhveshur nga mesi e lart.
Nga pamjet duken vrimat e plumbave në ballkon si dhe disa xhama të thyer në banesë.