Takimi mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis të hënën në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ka shënuar një “fazë të re” në marrëdhëniet midis dy vendeve, tha të martën ministri i Jashtëm grek.
“Mendoj se pas takimit të djeshëm po hyjmë në një fazë të re për sa i përket marrëdhënieve greko-turke. Kjo fazë udhëhiqet nga normaliteti, siç tha kryeministri, normalitet produktiv”, tha George Gerapetritis në një intervistë për televizionin publik ERT.
Normaliteti, vijoi ai, është që të diskutohen çështjet me interes të ndërsjellë pa i përshkallëzuar ato në tensione dhe kriza, sipas Gerapetritis.
“Dua të theksoj veçanërisht se, në një kohë kur armiqësitë në rajonin tonë më të gjerë janë të papara, mendoj se të qenit në një gjendje stabiliteti dhe paqeje në rajonin tonë është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Gerapetritis.