Autoriteti i Mediave Audiovizive ka hapur fazën e dytë të fushatës së Edukimit Mediatik.
E nisur prej muajsh me një cikël videosh informuese dhe orientuese për fëmijë dhe të rritur, mbi Prindërimin Digjital, rreziqet e njohura digjitale, mbrojtja e të dhënave personale, lojrat, reklamat, blerjet online etj, kjo fushatë është zgjeruar më tej dhe ka për objektiv prindër, edukatoret e kopshteve dhe fëmijë të moshës parashkollore.
Kjo fazë e dytë e titulluar, “Kompetencë mediatike për moshat parashkollore”, e hartuar dhe drejtuar nga Këshilli i Ankesave, nisi sot në kopshtin “Duarartët”, në Njësinë administrative Nr.5, në Tiranë, ku me prindër dhe edukatorë u diskutua për sfidat e prindërimit në epokën digjitale.
Fushata është konceptuar si një cikël bisedash informuese dhe ndërgjegjësuese me prindër dhe edukatorë dhe ka në qendër të vëmendjes fëmijët parashkollorë të moshës 5-6 vjeç, për shkak të veçorive të zhvillimit të tyre moshor dhe nevojës për orientim në botën mediatike dhe digjitale, në prag të një hapi të rëndësishëm të jetës së tyre, siç është shkollimi.