Vendosni fjalën kyçe....

Katër të vdekur në trazirat në territorin francez pranë Australisë


Franca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Kaledonisë së Re në Paqësor të mërkurën pasi tre të rinj indigjenë Kanak dhe një zyrtar i policisë u vranë në trazirat për reformën zgjedhore.

Gjendja e jashtëzakonshme, që hyri në fuqi në orën 5 të mëngjesit me orën lokale, u jep autoriteteve kompetenca shtesë për të ndaluar tubimet dhe për të ndaluar njerëzit të lëvizin nëpër ishullin e sunduar nga Franca.

Franca ka dërguar përforcime shtesë në ishull me rreth 500 policë pasi protestuesit dogjën automjetet dhe bizneset dhe plaçkitën dyqanet. Shkollat ​​janë mbyllur dhe tashmë ka një shtetrrethim në kryeqytet.

Trazirat shpërthyen mbi një projektligj të ri, të miratuar nga ligjvënësit në Paris të martën, që do t’u lejojë banorëve francezë që kanë jetuar në Kaledoninë e Re për 10 vjet të votojnë në zgjedhjet provincial, një lëvizje që disa krerë lokalë kanë frikë se do të zbehë votën e banorëvë Kanak.

“Asnjë dhunë nuk do tolerohet,” tha kryeministri Gabriel Attal, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme “do të na lejojë të përdorim mjete të gjera për të rivendosur rendin”.

Ai më vonë nënshkroi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që do zgjasë për 12 ditë dhe njoftoi se ushtarët francezë do përdoren për të siguruar portin dhe aeroportin kryesor të Kaledonisë së Re.

Më herët gjatë ditës, një zëdhënës i presidentit të Kaledonisë së Re, Louis Mapou tha se tre të rinj indigjenë Kanak kishin vdekur në trazirat. Qeveria franceze më vonë tha se një zyrtar 24-vjeçar i policisë kishte vdekur nga një plagë me armë zjarri.

Reforma zgjedhore është pika më e fundit e ndezjes në një sherr që zgjat dhjetëvjeçarësh mbi rolin e Francës në ishullin e pasur me minerale, i cili shtrihet në Paqësorin jugperëndimor, rreth 1500 km në lindje të Australisë.

Franca e aneksoi ishullin në vitin 1853 dhe i dha kolonisë statusin e territorit përtej detit në 1946. Ai është tronditur prej kohësh nga lëvizjet pro pavarësisë.

Kaledonia e Re është vendi numër i tretë në botë për nga sasia e nxjerrjes së nikelit dhe banorët janë goditur nga një krizë në këtë sektor, me një në pesë prej tyre që jeton nën pragun e varfërisë.

Grupi kryesor politik pro pavarësisë, Front de Liberation Nationale Kanak et Socialiste (FLNKS), i cili dënoi dhunën, tha se do pranonte ofertën e bisedimeve dhe ishte i gatshëm të punonte drejt një marrëveshjeje “që do të lejonte Kaledoninë e Re të ndiqte rrugën e saj drejt emancipimit”.