Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti miraton marrëveshjen për pensionet me Italinë


Parlamenti ka votuar me 92 vota pro dhe asnjë kundër, ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet. Nga kjo marrëveshje përllogaritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë. Marrëveshja mori edhe votat e opozitës parlamentare.

Takimi i parë që synon të fillojë nga zbatimi i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve, pritet të zhvillohet nga data 18 deri më 20 qershor 2024.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, detajoi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje.

Sipas tij, “marrëveshja nuk ka prapaveprim dhe nuk mund të ketë një pretendim financiar për vitet e shkuara”.

“Të gjitha kontributet dhe ngjarjet në jetën tonë akumulohen dhe në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”, tha Gonxhja.

Çfarë parashikon marrëveshja?

Shtetasit shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës edhe në Shqipëri në momentin që dalin në pension.

Shqipëria dhe Italia arritën dakordësimin e marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.

Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua disa muaj më parë.

Bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e arritur kanë nisur vite më parë dhe janë intensifikuar që nga viti 2014.

Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 500 000 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, janë rreth 50 000 ndërmarrje me NIPT italian, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Marrëveshja e dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.

Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali.

Shqipëria ka nënshkruar rreth 15 marrëveshja për njohjen e sigurimeve, duke filluar me Turqinë, në vitin 2005,e duke vijuar me një numër shtetesh të tjera si me Kosovën, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Gjermaninë, etj.

Për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit tonë, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar.

Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni, llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe pavarësisht sektorëve ku kanë punuar.