Vizita në Mal të Zi në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, i organizuar nga kryeministri malazez është Millojko Spajiç u shfrytëzua nga kryeministri Edi Rama dhe për një takim kontruktiv lidhur me projektet e përbashkëta mes dy vendeve.
Kryeministri Rama u shpreh besimplotë se brenda vitit nis ndërtimi i urës lidhëse të Bunës.
“Para sesa të bënim këtë intervistë dhe pastaj të kthehemi në Shqipëri, kam pasur takim me kryeministrin e Malit të Zi dhe një ekip që ka ardhur enkas për këtë takim nga Tirana për disa tema, për temën e urës që lidh të dy anët e Bunës dhe që tani është në fazën e futjes në procesin e zbatimit. Do të ngrihet grupi i përbashkët operacional dhe do të shpallet gara ndërkombëtare për ndërtimin e urës dhe jemi besimplotë që brenda vitit ne do të shohim kantierin e ndërtimit të urës lidhëse të Bunës” tha Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë sot në Kotorr.”
Gjithashtu mes tyre është folur dhe për një operim të përbashkët të lundrimit në liqen dhe një projekt të përbashkët turistik në të dyja anët e Bunës.
“E dyta, kemi folur për liqenin sepse nga ana malazeze është përfunduar pjesa deri në Zogaj, nga ana shqiptare kërkohet edhe një pjesë tjetër për ta çuar deri aty. Do të lidhet gjithë rruga perëndimore e liqenit dhe kemi folur edhe për një operim të përbashkët të lundrimit në liqen. Kemi folur, po ashtu, edhe për një projekt të përbashkët të zhvillimit turistik në të dyja anët e Bunës për të cilin do të angazhojmë agjencitë respektive të investimeve, së bashku me agjencitë respektive të planifikimit urban për të shkruar termat e referencës për një konkurs të përbashkët ndërkombëtar, ku do të thërrasim, siç bëjmë ne në Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët më të mëdhenj ose ndër arkitektët dhe urbanistët, po themi, të Champions League të arkitekturës dhe urbanistikës bashkëkohore për të marrë pjesë në konkurs dhe kam folur edhe për këtë temë të çuditshme e cila vazhdon të mos gjejë zgjidhje, por unë jam besimplotë që do ta gjejmë zgjidhjen sepse kryeministri ma ka premtuar” tha Rama.