Vendosni fjalën kyçe....

Samiti në Mal të Zi/ Fotoja që bëri bashkë 3 kryeministra shqiptarë, Rama krah Kurtit


Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të BE, janë takuar në Mal të Zi në kuadër të Samitit të Kotorit, që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”.

Pjesë e takimit ishte kryeministri, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili u shfaq papritmas, pasi më parë kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë.

Pas takimit është realizuar edhe fotoja familjare, ku Rama e Kurti shihen krah njëri-tjetrit, ndërsa Talat Xhaferri shihet në një rresht me Vuçiç.

Ky takim rajonal, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.