Nisur nga rasti i Azgan Mërnicës, vrasësit të efektivit të Shqiponjave Novruz Cenalia, që rezultoi se ka qenë pjesë e Strukturës së Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës (SMV) në zgjedhjet parlamentare të 2021, nënkryetarja e Kuvendi Ermonela Felaj, i ka bërë thirrje policisë kriminale që t’i rikthehet hetimeve për krijimin e këtyre strukturave.
Gjithashtu nisur nga vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan dhe e policit në Fier, Felaj nënvizoi se sipas saj kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjentë kriminal nga opozita.
Por kjo çështje, sipas deputetes, ka ngelur pa u hetuar “sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente”.
Në këtë kuadër, Felaj e cilësoi si shumë të rëndësishme marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.
“Mua më kanë zhgënjyer kolegë deputetë të opozitës të reagimet e tyre për rastin e ngjarjes së rëndë në Fier. Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë që këta njerëz janë përdorur nga politike në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën. Ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier… Është dhe dikush tjetër që është duke vuajtur dënimin me burg për mbrojtjen e votës në qarkun e Fierit.
Kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjentë kriminal. Kjo çështje ka ngelur pa u hetuar sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente. Ftoj policinë kriminale, thirrja ime është publike, s’ka nevojë të bëj kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave, t’u rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë pas vetes kontigjentë kriminalë për të mbledhur votën. Ti rikthehen analizimit të profileve në rrjete sociale të këtyre personave sepse janë grupe mirëfilli kriminale, struktura kriminale. Falenderoj median dhe e nxis të gërmojë më shumë të dhëna.
Siç e tha dhe Naço e Balla, marrëveshja është shumë e rëndësishme. Është hera e parë që mbahet një konferencë e kësaj natyre e INTERPOL në Tiranë. Besoj që të gjithëve duhet tu thotë që policia nuk është thjeshtë organi më i besuar nga qytetarët por është e besuar dhe nga policitë partnere.
Interpol është organizatë policore e lidhur ngushtë me policinë kriminale. Mbajtja e kësaj konference në Tiranë, pjesëmarrja e shumë delegacioneve, do jetë mundësi e mirë pune dhe mundësi për policinë kriminale që të rrisë standardet e punës dhe profesionalizmit. Referuar të dhënave nga fjala e prokurorit të përgjithshëm dua të ndaj dy të dhëna: koeficenti kriminal në Shqipëri në krahasim me 2022 ka ardhur duke u ulur dhe ky është një lajm i mirë. 800 është koeficenti i kryerjes së veprave penale, por e dhëna që na tërhoqi vëmendjen dhe që shumëkënd e ka shqetësuar, është ajo se cila është vepra më e përhapur penale. Krimi më i përhapur rezulton për krime që drejtohen kundër autoritetit shtetëror. Bëhet fjalë për vepra që drejtohen ndaj punonjësve me uniformë.
Unë besoj se edhe politika duhet të gjejë një përgjegjësi të vetën, sepse mënyra sesi ne sillemi e artikulohemi sesi kërkojmë të bëjmë për vete qytetarë, duke harruar se policët janë punonjës shteti, në funksion të institucioneve të shtetit e jo në funksion të politikanëve. Të heqim dorë nga mentalitetet e të shkuarës”.
E thashë, deputetë tanët këtu kanë mbajtur deklarata zhgënjyese as nuk kanë ngushëlluar për humbjen e një jete të re të një punonjësi me uniformë, as nuk janë distancuar nga personi në fjalë as nuk i kërkuan që të dorëzohej, e për më tepër i kanë bërë këto deklarata teksa mbahej protesta para bashkisë Tiranë”, shtoi deputetja.