Gjykata e Apelit ka caktuar datën 11 qershor për seancën e parë që do të shqyrtojë fatin e logos dhe vulës së Partisë Demokratike. Relatore e çështjes është Alma Ahmeti, ndërsa trupa gjykuese përbëhet nga Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Ky rigjykim vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëroi një shqyrtim të thelluar të çështjes. Aktualisht, Lulzim Basha njihet si kryetari i PD-së, ndërsa kundërshtarët e tij janë Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit, si dhe deputetët e PD-së të drejtuar nga Gazment Bardhi, që kohët e fundit kanë njohur Berishën si kryetar.
Pak kohë më parë, Gjykata e Tiranës hodhi poshtë një kërkesë nga 6 deputetë demokratë për të çregjistruar Lulzim Bashën si Kryetar i PD-së. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, kishte lejuar shkelje procedurale që cënonin vendimin e saj.
Kolegji Civil vuri re se Gjykata e Apelit nuk iu përgjigj kërkesave të palëve në ankimet respektive dhe shqyrtoi çështje që nuk ishin ngritur nga palët në ankime, të cilat gjithsesi nuk përbënin arsye për prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerësoi se pretendimet në ankimet e paraqitura mund të zgjidheshin nga vetë Gjykata e Apelit.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në të njëjtën gjykatë, me një trupë tjetër gjykuese”.