Mona Liza e Leonardo da Vinçit, një nga pikturat më të famshme në botë, është e mbuluar me mister; nga pyetjet rreth identitetit të saj, te shprehja e saj mahnitëse dhe enigmatike. Megjithatë të paktën një nga sekretet e veprës së artit është zbuluar, sipas një gjeologeje italian.
Ann Pizzorusso, e cila është edhe gjeologe dhe historiane e artit e specializuar te veprat e Da Vincit dhe epokën e Rilindjes, beson se ajo e ka gjetur vendndodhjen e Mona Lizës duke përdorur ekspertizën e saj gjeologjike.
Tre dhjetëvjeçarë më parë, Pizzorusso vizitoi qytetin e Lecco-s në bregun juglindor të liqenit Como në Itali, ku ajo beson se piktura është bërë, duke rigjurmuar lëvizjet e Leonardos përmes shënimeve në ditar dhe vizatimeve nga artisti.
“Në fletoren e tij ai përmend të qenit në Leço,” i tha ajo CNN në një intervistë telefonike.
“Ai punonte si inxhinier.”
Sipas Pizzorussos, projekti mbi të cilin po punonte Leonardo u anulua, por skicat e tij gjeologjike në terren mbetën (një vizatim me shkumës të kuq i vargmaleve pranë Lecco-s i përket Koleksionit Mbretëror në Windsor, Londër).
Ndërsa Pizzorusso nuk është e para që ka teorizuar vendndodhjen e Mona Lizës (në vitin 2011, një historian arti ia atribuoi peizazhin e pikturës një qyteti të vogël të quajtur Bobbio, ndërsa një tjetër Arezzo-s), ajo beson se ajo është gjeologia e pare që ka arritur në këtë përfundim.
Llogaritjet e mëparshme janë përqendruar në urën e harkuar mbi shpatullën e djathtë të Mona Lizës. Megjithatë, Pizzorusso këmbëngul se mund të nxirren më shumë nga formimi unik i shkëmbinjve në horizont.
“Urat janë të këmbyeshme,” tha ajo.
“Nëse shikoni në sfond, do shihni majat. Është një lloj erozioni që ndodh në gurin gëlqeror që ka thyerje në të dhe shkëputet në blloqe, pothuajse si një model i dhëmbëve sharrë…Mund të themi se guri gëlqeror ekziston në Lecco. Kur shikoni Mona Lizën, ka një sërë malesh në sfond që kanë këtë model të dhëmbëve sharrë.”
Në mënyrë të ngjashme, uji pas Mona Lizës është gjeologjikisht specifik, që besohet nga Pizzorusso të jetë Liqeni Como – një liqen akullnajor subalpin që daton rreth 10,000 vjet më parë.
“Nëse shikoni pas saj, keni liqene të zgjatur akullnajore që kanë një formë të veçantë si gishtat,” tha ajo. “Sepse kur akullnaja u zhvendos, ajo fshiu disa pjesë toke.”
Ndërsa çiftimi i shkencës së tokës dhe historisë së artit mund të duket i ndryshëm, Pizzorusso argumenton se qasja ndërdisiplinore mund të pasurojë përvojën e shikimit të punës së Leonardos. Por zbulimi mund të çojë vetëm në më shumë mister. Nëse vendndodhja është Lecco, siç sugjeron Pizzorusso, mbeten më shumë pyetje se pse piktori i njohur zgjodhi atë vend të veçantë, për këtë portret të veçantë.
“Ne nuk e dimë se kush është Mona Liza, disa besojnë se ajo ishte gruaja e një tregtari të pasur toskan,” tha ajo, duke iu referuar një teorie historike popullore që sugjeron se figura bazohej tek fisnikja italiane Lisa Gherardini.
“Pse e vendosi në këtë mjedis të egër, të ashpër? Kjo nuk është Toskana. Çfarë po përpiqej të na tregonte duke e vendosur këtë zonjë të qetë, enigmatike në këtë mjedis të ashpër dhe alpin?” tha Pizzorusso.
“Jam vërtet i intriguar se cili ishte mesazhi i tij për ne.”