Një helikopter që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë pati një “ulje të vështirë” në provincën veriperëndimore të Azerbajxhanit Lindor të dielën, sipas televizionit shtetëror të Iranit, përcjell Anadolu.
Raisi shoqërohej nga Ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, Guvernatori i Azerbajxhanit Lindor Malik Rehmati dhe kreu i lutjes së së Premtes në qytetin e Tabrizit Ayatollah Al-Hashem në momentin e aksidentit.
Media shtetërore tha se të paktën 20 ekipe të reagimit emergjent nga provincat e Azerbajxhanit Lindor, Ardabilit dhe Zanjanit u dërguan menjëherë në vend dhe ata janë aktualisht të angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Nuk ka ende raporte për gjendjen e personave në bordin e helikopterit, përfshirë Raisin. Për shkak të terreneve malore dhe mjegullës së dendur, operacioni i kërkim-shpëtimit pritet të zgjasë disa orë.
Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi i tha televizionit shtetëror se delegacioni i kryesuar nga Raisi po kthehej nga një ceremoni përurimi e digës në kufirin Azerbajxhan-Iran kur ndodhi incidenti.
Ai tha se një nga helikopterët në kolonën e presidentit iranian duhej të bënte një “ulje të vështirë” për shkak të kushteve të këqija atmosferike, duke shtuar se ekipet e shumta të shpëtimit janë vënë në veprim.
Pir Hossein Kolivand, kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, i tha televizionit shtetëror se 40 ekipe të reagimit të shpejtë janë dërguar në zonë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Këto ekipe janë nga qytetet e Teheranit, Alborzit, Ardabilit, Zanjanit dhe Azerbajxhanit Lindor dhe Perëndimor, duke përfshirë 200 ekipe të reagimit të shpejtë dhe shpëtimtarë të specializuar, informoi ai.
Përveç kësaj, 15 ekipe të Gjysmëhënës së Kuqe ANST (qentë e kërkimit) së bashku me 2 dronë të Gjysmëhënës së Kuqe janë vënë në shërbim për të kërkuar gjurmët e helikopterit që mbante presidentin dhe ekipin e tij.
Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe mjegullës së madhe në rajon, aktualisht nuk është e mundur të fluturojnë helikopterët e shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe dhe ekipet janë duke kërkuar në terren zonën, tha ai.
Ali Bahadori Jahromi, zëdhënës i qeverisë, në një postim në X ka thënë se të dielën është mbajtur një mbledhje e kabinetit qeveritar dhe është diskutuar për incidentin në Azerbajxhanin Lindor.
Mohammad Mokhber, nënkryetari i parë, i cili kryesoi takimin u nis menjëherë për në qytetin verior të Tabrizit së bashku me disa zyrtarë të profilit të lartë të qeverisë, tha Jahromi.
Më e rëndësishmja, incidenti ndodhi pasi Raisi iu bashkua homologut të tij azerbajxhanas Ilham Aliyev për ceremoninë e inaugurimit dhe vënies në punë të dy strukturave hidraulike në kufirin me Azerbajxhanin.
Liderët e dy vendeve zhvilluan bisedime dypalëshe, të cilat u pasuan nga ceremonia e inaugurimit të strukturave hidraulike “Khudaferin” dhe “Qiz Qalasi” në lumin Araz.
Ndërkohë, televizioni shtetëror tregoi fotografi të njerëzve në faltoren e nderuar të Imam Rezait në qytetin e lindjes së Raisit, Mashhad, duke u lutur për presidentin dhe të tjerët në bordin e helikopterit.
Raisi më parë drejtoi faltoren e Mashhadit përpara se të bëhej zyrtari më i lartë gjyqësor i vendit dhe më vonë mori drejtimin e qeverisë në 2021 me një fitore dërrmuese në zgjedhje.