Pallati Buckingham zbuloi të martën portretin e parë zyrtar të Mbretit Charles III që nga kurorëzimi i tij dhe ai po nxit polemika. Piktura 2.5×2 është bërë nga artisti britanik Jonathan Yeo, i cili ka pikturuar subjekte të profilit të lartë gjatë karrierës së tij, përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair, aktoren Nicole Kidman dhe aktivisten Malala Yousafzai.
Yeo, i cili e filloi projektin kur Charles ishte ende Princi i Uellsit, përshkruan monarkun të veshur me uniformën e Gardës Uellsiane, me shpatën në dorë, me një sfond të kuq të zjarrtë që duket se pothuajse e ka gëlltitur të gjithin, teksa një flutur duket sikur është gati të ulet mbi supin e tij.
“Ashtu si flutura që kam pikturuar duke qëndruar pezull mbi shpatullën e tij, ky portret është zhvilluar, ndërsa roli i subjektit në jetën tonë publike është shndërruar”, tha Yeo në një deklaratë të lëshuar nga Buckingham Palace.
“Unë bëj çmos për të kapur përvojat e jetës të gdhendura në fytyrën e çdo personi të veçantë. Në këtë rast, synimi im ishte gjithashtu t’i referohesha traditave të portreteve mbretërore, por në një mënyrë që pasqyron një monarki të shekullit të 21-të dhe, mbi të gjitha, të komunikoja humanizmin e thellë të subjektit.
Puna u porosit për të festuar 50-vjetorin e anëtarësimit të Charles në “The Drapers’ Company”, e cila financon nismat arsimore midis përpjekjeve të tjera filantropike dhe do ekspozohet për publikun nga 16 maji deri më 14 qershor në Galerinë Philip Mold në Londër. Më vonë do varet në “Drapers’ Hall” nga fundi i gushtit së bashku me portretet e tjera mbretërore.
Mbreti dhe mbretëresha thuhet se janë të kënaqur me portretin. Yeo i tha BBC-së se Camilla i tha: “Po, ju ia keni qëlluar”, pasi pa rezultatin, ndërsa monarku ishte “i befasuar lehtë nga ngjyra e fortë, por gjithashtu kishte buzëqeshur duke e miratuar.
Megjithatë komentet shpërthyen në rrjetet sociale. Duke komentuar nën një postim të portretit në llogarinë e familjes mbretërore në Instagram, një përdorues shkroi: “Me uniformën dhe atë ngjyrë duket si përfaqësimi vizual i shkakut të masakrave të kryera nga kolonizatorët”, ndërsa një tjetër tha: “Do kisha parapëlqye çdo ngjyrë tjetër veç së kuqes. Duket se ai po shkon drejt e në ferr”.
Historiani i artit Richard Morris shkroi në X, “Më pëlqen shumë portreti. Ju pranuat zbulimin e të metave dhe vdekshmërisë suaj. Kjo është ajo që Yeo kap këtu.”
Sa i përket portretit të Mbretit, Yeo tha në faqen e tij të internetit se ngjyrat e gjalla të glazurave “jo vetëm që rezonojnë me trashëgiminë mbretërore që gjendet në shumë portrete historike, por gjithashtu injektojnë një tronditje dinamike, bashkëkohore në zhanër me uniformitetin e saj, ngjyrimin e fuqishëm – duke siguruar një kontrast modern me përshkrimet më tradicionale.”
Ai shtoi se flutura simbolizonte bukurinë dhe natyrën duke theksuar pasionin e mbretit për mjedisin.