Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: 35% e aktiviteteve u mbyllën për shkak të taksës për profesionet e lira, Rama favorizon vetëm oligarkët


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me taksën progresive ndaj profesioneve të lira që ka sjellë edhe efekte negative.

Bardhi akuzon qeverinë Rama për vendosjen e taksës deri në 23% e cila ka sjellë mbylljen zyrtare të 35% të profesioneve të lira sipas QKB-së.

Kreu i Grupit të PD-së denoncon favorizimin me taksa që Edi Rama i bën klientëve dhe oligarkëve ndërkohë që bizneset më në nevojë mbyllen për shkak të barrës fiskale.

Ashtu sikurse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paralajmëroi kohën e miratimit të ligjit të ri, hyrja në fuqi e taksimit progresiv të profesionistëve të lirë, që arrin deri në 23 %, ka detyruar mijëra prej tyre të mbyllin aktivitetin. Sipas QKB-së, 35% e tyre janë mbyllur zyrtarisht, ndërkohë që mijëra kërkesa të reja janë ende nën përpunim.

Mbyllja e biznesit nga mijëra profesionistë të lirë është dramë e familjeve të tyre, por është edhe e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Është e pafalshme që për shkak të diskriminimit të Qeverisë së Edi Ramës, mijëra familje të humbasin të vetmen mundësi punësimi dhe të ardhurash për familjet e tyre.

Ndërkohë që Edi Rama premtoi për ta taksa zero, realiteti paraqitet krejt ndryshe. Taksat janë ulur vetëm për klientët e qeverisë, oligarkët e miqtë e Edi Ramës, që operojnë në një regjim të lehtësuar dhe favorizues, ndërkohë që bizneset më në nevojë, shtyhen të mbyllen apo të punojnë në kushtet e mbijetesës, si pasojë e rritjes së barrës fiskale.

Zgjidhja është: Shqipëria duhet të ndryshojë model qeverisës, të largojë Edi Ramën dhe modelin e tij të korruptuar që favorizon vetëm oligarkët dhe klientët e tij”, shkruan Bardhi.