Vendosni fjalën kyçe....

Emigrantët nga Italia, shtyhet hapja e qendrave në Shëngjin


Hapja e dy qendrave për migrantë në Shqipëri, që do të drejtohen nga Italia, është shtyrë për shkak se nuk kanë përfunduar punimet, tha një zyrtar shqiptar.

Ato ishin paraparë të hapeshin të hënën, më 20 maj.

Shqipëria do të pranojë migrantë që Italia do të shpëtojë në det. Një nga qendrat është në Shëngjin, në Detin Adriatik. Qendra tjetër, ku migrantët do të presin derisa të procedohet rasti i tyre, gjendet në Gjadër.

Sandër Marashi, drejtor i portit në Shëngjin tha se nuk do të ketë migrantë të hënën sepse “po vazhdon ndërtimi” në port.

Javën e kaluar, agjencia e lajmeve ANSA raportoi se do të shtyhet hapja e qendrave për shkak të punës në ndërtim, që aktualisht po kryejnë kompanitë italiane.

“Inxhinierët e ushtrisë italiane, që punojnë në Shëngjin dhe Gjadër sipas marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës, ende nuk kanë përfunduar ndërtimin e qendrave pritëse”, raportoi kjo agjenci italiane.

Në fillim të majit, vetëm një numër i vogël i blloqeve të parafabrikuara u instaluan në qendrën në portin e Shëngjinit.

Kur të përfundojë, qendra do të jetë 4.000 metra katrorë e rrethuar me mure metalike të gjata prej katër metrash, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Pas regjistrimit, migrantët do të dërgohen në Gjadër, ku gjendet një ish-bazë ushtarake, rreth 20 kilometra larg nga porti. Në këtë vend, migrantët do të qëndrojnë derisa të trajtohen aplikimet e tyre për azil.

Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit.

Shpenzimet e ndërtimit, sigurisë dhe kujdesit shëndetësor për azilkërkuesit do të mbulohen nga Italia. Vlerësohet se gjatë pesë vjetëve, këto shpenzime do të arrijnë nga 650 milionë euro deri në 750 milionë euro.

Më 2023 u rrit ndjeshëm numri i njerëzve që arritën në Evropë përmes Italisë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Italisë.

Vitin e kaluar, 157.652 arritën në tokën italiane, krahasuar me 105.131 që arritën më 2022.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim tha se më shumë se 3.000 migrantë pa dokumente janë zhdukur vitin e kaluar gjatë rrugës së rrezikshme nga Afrika e Veriut për në Evropë. /REL