Vendosni fjalën kyçe....

“Gruaja jote është e korruptuar” – Spanja tërheq ambasadorin nga Argjentina pas komentit të Mileit


Spanja tërhoqi ambasadorin e saj në Buenos Aires për konsultime të dielën pasi presidenti i Argjentinës Javier Milei bëri komente nënçmuese për gruan e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez gjatë një mitingu të ekstremit të djathtë në Madrid.

Milei e kishte quajtur gruan e Sanchez, Begona Gomez, “të korruptuar” gjatë një mitingu në Madrid të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë Vox dhe ku morën pjesë shumë nga aleatët e saj ndërkombëtarë.

Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares tha se ai priste një kërkim ndjese nga Milei. Ministrat e tjerë dënuan gjithashtu fjalimin e Mileit, në të cilin ai e përshkroi socializmin si “të mallkuar dhe kancerogjen”. Sanchez drejton Partinë Socialiste të Spanjës.

“Me sjelljen e tij, Milei ka sjellë marrëdhëniet midis Spanjës dhe Argjentinës në gjendjen e tyre më serioze prej shumë kohësh,” tha Albares në një deklaratë video.

Vizita e Mileit theu protokollin diplomatik pasi ai kundërshtoi të takonte mbretin e Spanjës Felipe dhe kryeministrin Sanchez, në vend të kësaj parapëlqeu të promovonte librin e tij së bashku me kreun e Vox Santiago Abascal në mitingun e partisë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha në një postim në aplikacionin e mesazheve sociale X se “sulmet kundër anëtarëve të familjeve të liderëve politikë nuk kanë vend në kulturën tonë”.