Vendosni fjalën kyçe....

Kisha Ortodokse reagon pas martesës së dy vajzave në Bashkinë e Tiranës


Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka reaguar për në lidhje me ceremoninë martesore simbolike të dy vajzave në tarracën e bashkisë së Tiranës.

Kisha thotë se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre, dhe asnjë fe nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë.

Më tej Kisha shkruan se e panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore dhe një ligj i tillë fyen krijimin.

‘Në lidhje me martesën e së njëjtës gjini, kryer në Bashkinë e Tiranës, ditën e djeshme, dt. 19 maj 2024, siç jemi shprehur edhe më parë, si në deklaratën e janarit 2024, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mban të njëjtin qëndrim:

Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre.

Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë.

E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin.

Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.

Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016) .’- thuhet në reagimin e kishës Ortodokse.