Vendosni fjalën kyçe....

Si u krye grabitja më e madhe e artit në histori (disa hollësi pikante)


Korniza e zbrazët që dikur mbante “Stuhia në detin e Galilesë” të Rembrandt, përpara se të vidhej në një grabitje arti misterioze që ende nuk është zgjidhur

Shumica e galerive dhe muzeve të artit janë të famshëm për artin që mbajnë. Galeria Kombëtare e Londrës ka “Sunflowers” të Van Gogh.

Ndërkohë, “The Starry Night” mbahet në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, në “shoqëri” të mirë së bashku me “Melting Watch” të Salvador Dalì, “Soup Cans” të Andy Warhol dhe autoportretin e Frida Kahlo.

Muzeu “Isabella Stewart Gardner” në Boston, megjithatë, tani është më i famshëm për veprat e artit që nuk janë atje, ose të paktën, që nuk janë “më” atje, pasi grabitja mbetet ende një mister.

Më 18 mars 1990 muzeu ra pre e grabitjes më të madhe të artit në histori. Trembëdhjetë vepra arti të vlerësuara me vlerë mbi gjysmë miliardë dollarë – duke përfshirë tre nga Rembrandt dhe një nga Vermeer – u vodhën në mes të natës, ndërkohë që dy rojet e sigurisë ndodhedhin në bodrum të lidhur me shirit ngjitës.

Një episod i ri i CNN “Si ndodhi me të vërtetë” i shfaqur të dielën më 19 maj përmban një intervistë me një nga rojet: Rick Abath, i cili dha intervistën e tij të vetme televizive për CNN në vitin 2013 dhe që vdiq në shkurt 2024 në moshë 57.

Grabitja është një grumbull i fakteve befasuese dhe kthesave të befta të komplotit. Më poshtë janë pesë gjëra që e bëjnë “Muzeun Isabella Stewart Gardner” dhe vjedhjen famshme, kaq interesante.

Personazhi magjepsës që mban emrin e muzeut

Isabella Stewart Gardner, themeluesja dhe emri i muzeut, është një personazh magjepsës. Vajza dhe e veja e dy biznesmenëve të suksesshëm, Gardner ishte një filantropiste dhe koleksioniste arti që ndërtoi muzeun për të strehuar koleksionin e saj.

Filantropistja dhe aktivistja e hershme për të drejtat e grave, Isabella Stewart Gardner, ndërtoi muzeun ku hyrja ishte pa pagesë në Boston për të strehuar koleksionin e saj personal të artit

“Kur hapi muzeun në vitin 1903, ajo urdhëroi që ai të ishte pa pagesë, për të fituar vlerësimin dhe frekuentimin e të gjithë Bostonit”, tha për CNN Stephan Kurkjian, autor i “Master Thieves: The Boston Gangsters Who Pulled Off the World’s Greatest Art Heist.”.

“Muzeu i saj, në atë kohë, ishte koleksioni më i madh i artit nga një individ privat në Amerikë.”

Gardner gjithashtu kishte lidhje me fushatën e re për të drejtat politike të grave. Muzeu shfaq fotografitë dhe letrat e shoqes së saj Julia Ward Howe, një organizatore e dy shoqërive amerikane për të votuar dhe një printim të Ethel Smyth, një kompozitore dhe shoqe e ngushtë e udhëheqëses angleze Emmeline Pankhurst, drejtuese e një organizate që kërkonte të drejtat e grave për të votuar.

Gardner u takua me Smyth-in përmes mikut të tyre të përbashkët, piktori John Singer Sargent.

Gardner-it dukej se i pëlqente flirtimi me skandalet dhe thashethemet: një herë ajo mbërriti në një shfaqje të Orkestrës Simfonike të Bostonit me një tufë kapelesh me emrin e ekipit të saj të preferuar të bejsbollit, Red Sox, dhe një ilustrim në një botim të janarit 1897 të Boston Globe e  tregonte atë duke shëtitur me një nga luanët e kopshtit zoologjik të Bostonit.

Në mënyrë ironike, kur Mona Lisa u vodh në vitin 1911, Gardner u tha rojeve të saj të muzeut se nëse shihnin dikë që përpiqej t’i grabiste, ata duhet të qëllonin për të vrarë.

Si shpëtoi pa u vjedhur vepra më e vlefshme

Plaçka e hajdutëve vlerësohet të jetë mbi gjysmë miliardë dollarë. Megjithatë, ata lanë pikturën më të shtrenjtë në muze: “Përdhunimi i Evropës” nga Titian, të cilën Gardner e bleu nga një galeri arti në Londër në 1896, atëherë me një çmim rekord për një pikturë të vjetër.

“Përdhunimi i Evropës”, e vendosur në dhomën Titian të “Muzeut Isabella Stewart Gardner” në Boston, mendohet të jetë vepra më e vlefshme e muzeut, por është lënë pas nga hajdutët

Pse të kryeni grabitjen më të madhe të artit në histori dhe të lini pa marrë pjesën më të shtrenjtë në muze? Madhësia e saj mund të ketë luajtur rol.

Vepra më e madhe e artit e marrë ishte “Krishti në Stuhinë në detin e Galilesë” e Rembrandt, e famshme pasi është peizazhi i vetëm detar i Rembrandt dhe ka përmas afërsisht 1.5 metra me 1.2 metra.

Ndërkohë, “Përdhunimi i Evropës” është më e madhe, gati 1.8 metra me 2.1 metra.

Faktori Napoleon

Rreth vitit 2005, hetimi për veprat e artit të vjedhura mori një devijim në ishullin francez të Korsikës në Detin Mesdhe. Dy francezë me lidhje të dyshuara me mafian korsikane po përpiqeshin të shisnin dy piktura: një Rembrandt dhe një Vermeer.

Ish-agjenti special i FBI-së, Bob Wittman, u përfshi në një operacion për t’i blerë ato – por ai përfundimisht dështoi kur burrat u arrestuan për shitjen e artit të marrë nga Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor në Nice.

Me përmasa 1.55×1.2 metra, “Stuhia në Detin e Galilesë” e Rembrandt ishte piktura më e madhe e vjedhur gjatë grabitjes

Pse “mafiozët korsikanë”, siç i përshkroi korrespondenti i CNN Randi Kaye në program, do shin të interesuar të grabitnin një muze arti në Boston? Përgjigja mund të gjendet në Simbolin e Shqiponjës së Bronzit, një stoli 25 centimetra e vjedhur nga maja e një flamuri Napoleonik gjatë grabitjes.

“Ishte një lloj zgjedhje e çuditshme që hajdutët të merrnin Simbolin e Shqiponjës,” tha Kaye, “por rezulton se Korsika është në thelb atdheu i Napoleonit”.

Perandori francez lindi në ishull në vitin 1769 dhe një muze kombëtar tani ndodhet në shtëpinë e tij të mëparshme të familjes.

“Është një nocion shumë bindës,” tha Kelly Horan, zëvendësredaktore e Boston Globe, në program, “që një bandë korsikane mund të ishte përpjekur të merrte mbrapsht flamurin dhe të hiqte dorë nga gjithë pjesa tjetër e grabitjes në proces.”

Një i dyshuar rock’n’roll

18 marsi 1990 nuk ishte hera e parë që një vepër e Rembrandt ishte vjedhur nga një muze i Bostonit. Në vitin 1975, krimineli dhe hajduti i artit Myles Connor hyri në Muzeun e Arteve të Bukura të Bostonit dhe doli me një vepër të Rembrandt të struktur në xhepin e tij të madh të palltos.

Ai ishte i dyshuari i parë i FBI-së në rastin Gardner, megjithatë muret e burgut federal – ku ai u burgos për akuzat e drogës – i dhanë atij një alibi mjaft të fortë.

I dënuari për vjedhje arti, Myles Connor fillimisht u dyshua për grabitjen e Gardnerit, një teori e cila u hodh poshtë kur detektivët kuptuan se ai ishte tashmë në burg për veprat penale të drogës në atë kohë

Gjatë kohës kur nuk merrej me grabitje veprash të famshme arti nga ekspozitat, Connor ishte një muzikant. Përmes koncerteve ai takoi Al Dotoli, i cili punonte me yje, përfshirë Frank Sinatra dhe Liza Minelli.

Në vitin 1976 Connor u burgos për një vjedhje të veçantë arti të kryer në Maine. Duke shpresuar të përdorte veprën e vjedhur të Rembrandt-it për të marrë një dënim më të lehtë, ai kishte nevojë për Dotolin – i cili ishte në turne me Dionne Warwick – për t’ia dorëzuar pikturën autoriteteve në emër të tij.

Një hajdut i padukshëm?

Një nga veprat e vjedhura të artit, “Chez Tortoni” i Édouard Manet, u mor nga dhoma blu e muzeut në katin e parë. Piktura bie në sy për dy arsye, e para është korniza e saj. Hajdutët lanë pothuajse të gjitha kornizat pas, duke i prerë disa nga pikturat nga pjesa e përparme.

“Të lësh edhe mbetjet e pikturave  pas ishte mizore”, tha Horan.

“Në mendjen time, është njësoj si t’i presësh fytin dikujt.”

Korniza e zbrazët që mbante portretin e Manet “Chez Tortoni” fillimisht u la në karrigen e zyrës së sigurisë në katin e poshtëm, një fakt që i hutoi detektivët

Korniza “Chez Tortoni” ishte e pazakontë për vendin ku ishte lënë. Jo në dhomën nga e kishin vjedhur, por në karrigen e zyrës së sigurisë poshtë.

Akoma më mbresëlënëse, asnjë detektor i vetëm lëvizjeje nuk ishte shkëputur në dhomën blu. Ndërsa po hetonin mundësinë e grabitësve fantazmë, hetuesit pyetën veten nëse kjo tregonte se komploti ishte një punë e brendshme.

“Në FBI ne zbuluam se rreth 89% e vjedhjeve institucionale në muze janë me bashkëpunim nga brenda vendeve të punës,” tha Wittman.

“Kështu vidhen këto gjëra.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani