Vendosni fjalën kyçe....

Akuza për korrupsion, Gjykata e Shkupit jep masën e sigurisë për gjykatësin Suprem


Gjykata Penale e Shkupit e pranoi propozimin e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe i caktoi masë paraburgimi prej 30 ditëve, gjyqtarit Suprem Naqe Georgiev, i cili u kap duke marrë 10.000 euro shpërblim për ndikim të kundërligjshëm në lëndën e ish kryetarit të Novo Sellës Boro Stojçev, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të tregtisë ilegale me lëndë narkotike.

“Pas deklarimit të të dyshuarit në prani të mbrojtësit të tij, por edhe vlerësimit të fakteve dhe provave të dorëzuara nga ana e prokurorit publik është miratuar vendim, me të cilin propozimi pranohet, ndërkaq të dyshuarit i caktohet masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 2 dhe 3, gjegjësisht mund ta pengojë procedurën penale me ndikim ndaj dëshmitarëve, dhe rrethanat të cilat tregojnë se do ta mbarojë ose përsërisë veprën penale”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.

Vendimi i këtillë vjen, pasi Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjykatësit dhe i dha dritë jeshile Gjykatës Penale të vendosë për paraburgimin e tij. Nga ana tjetër, për të dyshuarin e dytë, anëtarin e Këshillit të Prokurorëve, Ixhet Memeti, Prokuroria kërkon masa kujdesi.

“Prokuroria kërkon që gjykata, të dyshuarit t’i caktojë masa të kujdesit. Konkretisht, detyrim që i dyshuari të paraqitet kohëpaskohe në person të caktuar zyrtar ose te organi kompetent shtetëror, të cilin do ta caktojë gjykatësi i procedurës paraprake dhe përkohësisht t’i merret pasaporta dhe t’i ndalohet kalimi i kufirit me letërnjoftim”, deklaruan nga Prokuroria Themelore Publike.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Georgiev si i dyshuar i parë, i cili është kapur në flagrancë duke i marrë paratë bashkë me të dyshuarin e dytë Memeti, kanë premtuar favore dhe lehtësim të procedimit penal të Boro Stojçevskit. Prokuroria, sot njoftoi se do t’i vazhdojë hetimet. /Alsat.mk