Avokati i ish-kryeministrit Berisha tha pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme që la në arrest shtëpie, se masa ishte e paligjshme dhe se tregon derexhenë në të cilën ka përfunduar drejtësia e gjyqësori në Shqipëri.
Gjokutaj tha se Prokuroria e Përgjithshme duhet të hetojë shpejt rastin e gjyqtares Irena Gjoka e cila tha ai, duhet të largohet nga sistemi i drejtësisë pasi ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.
“Konstatoj me keqardhje derexhenë ku ka përfunfduar gjyqësori shqiptar. Gjykata e ka gati për të rrëzuar çdo kërkesë që ne bëjmë. I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, është imperative hetimi i këtij rasti. Fakti ekziston. Vendimi është atje. Ajo duhet të bëjë hetimin shpejt. Gjyqtarja Irena Gjoka duhet të largohet nga sistemi pas ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit. Kemi dëgjuar pataksira në gjykatë. Sipas ligjit, gjyqtarja Irena Gjoka i ka bërë një relacion gjyqtares që shqyrtonte shkarkimin e saj, ku nuk kundërshton faktin e dënimit për shkelje të zonës Shengen, por thotë se kjo nuk ndikon në objektin për shkarkimin e saj. Kërkesën për shkarkim ia kemi qepur në pallto, do t’i qepim edhe në kostumin veror. Çështja e Gjokës ka shkuar në SPAK. Kemi bërë kërkime për aktet dhe nuk kemi një përgjigje.” – tha Gjokutaj.