Vendosni fjalën kyçe....

BE miraton planin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën


Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht përdorimin e të ardhurave nga asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes të Ukrainës, njoftoi Këshilli Evropian më 21 maj.

Ky vendim mund të bëjë që më shumë se 3 miliardë euro të dërgohen për ushtrinë e Ukrainës gjatë këtij viti.

Lajmi vjen në kohën kur Ukraina po i bën thirrje aleatëve të saj perëndimorë që të përshpejtojnë dërgimin e ndihmës ushtarake për trupat e saj të cilat po përballen me ofensivën ruse në lindje.

Vendimi u bë publik në Bruksel nga Qeveria belge, që aktualisht kryeson presidencën e bllokut 27 anëtarësh.

Këshilli Evropian ka konfirmuar marrëveshjen e tij për të përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira të Rusisë për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës që të vetëmbrohet dhe për rindërtim, në kontekst të agresionit rus”, tha BE-ja përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Rreth 210 miliardë euro në asete që i përkasin Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë nga BE-ja, pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kjo shumë vlerësohet se gjeneron interes prej rreth 3 miliardë eurosh në vit.

Rreth 90 për qind e të ardhurave vendosen në Fondin Evropian për Lehtësim, që përdoret nga shumica e shteteve të BE-së për të përfituar rimbursime për pajisjet ushtarake që i japin Ukrainës./ REL