Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohej për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së akuzoi mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e saj me qëllim për të kapur SPAK.
“Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka skualifikuar 6 kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose Avokati i Popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret e kushtet dokumentacionit, ose sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës, në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor kjo është një lëvizje politikisht e orientuar atë që ka ekzekutuar Sekretari i Përgjithshëm.
Kjo tregon se cila është qasja juaj me sistemin e pavarur. Vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që nuk janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar 4 nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK”, tha Alibeaj.
Komisioni i Ligjeve votoi për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së. Nga radhët e PS-së, anëtarë do të jenë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi. Ndërsa nga radhët e opozitës anëtarë do të jeën Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Kuvendi ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe nga shoqëria civile, për plotësimin e 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 3 vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Lista përfundimtare u publikua të hënën 20 maj dhe janë skualifikuar nga gara 6 kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Alban Tushe.
Në listën përfundimtare që i paraqitet Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.
Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.