Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kujtuar sot përvjetorin e revoltës së Spaçit, ku megjithëse nën terror e të rrethuar me tela me gjemba, të burgosurit nga diktatura kryen një akt të paimagjinueshëm guximi duke u ngritur në revoltë e që drodhi themelet e regjimit.
Në postimin e tij, kreu i PD thotë se “edhe pse s’ka shpagim të plotë për vuajtje dhe sakrifica të tilla, fatkeqësisht pas rënies së regjimit komunist nuk u bë mjaftueshëm për të përndjekurit dhe familjet e tyre”.
Sipas Bashës ajo që do të bëjë PD është njohja e pjesës së përgjegjësisë së shtetit për ferrin në të cilin janë detyruar të kalojnë, duke marrë fund një herë e mirë kalvari i dëmshpërblimit ekonomik të drejtë për vuajtjet e tyre.
Më poshtë postimi i plotë:
Ndonëse Shqipëria ishte një kamp i madh i rrethuar me tela me gjemba, 51 vite më parë, në një akt të paimagjinueshëm guximi revolta e Spaçit e dridhi regjimin e Tiranës. Burrat që u ngritën kundër diktaturës gjakatare në një prej burgjeve më famëkeqe komuniste, ishin të vetmit njerëz të lirë në një Shqipëri të robëruar. Revolta e Spaçit është përjetësuar në histori si monument i qëndresës dhe trimërisë përkundër terrorit të pashembullt.
Mirënjohje dhe lavdi përjetë heronjve të Revoltës së Spaçit! Edhe pse s’ka shpagim të plotë për vuajtje dhe sakrifica të tilla, fatkeqësisht pas rënies së regjimit komunist nuk u bë mjaftueshëm për të përndjekurit dhe familjet e tyre. Ndaj ajo që do të bëjmë është të njohim pjesën e përgjegjësisë së shtetit për ferrin në të cilin janë detyruar të kalojnë, duke marrë fund një herë e mirë kalvari i dëmshpërblimit ekonomik të drejtë për vuajtjet e tyre.
Po kaq e rëndësishme është puna e madhe dhe e vonuar me kast për përjetësimin e kujtesës historike. Burgu i Spaçit është dëshmi therëse e kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimit çnjerëzor, është golgota e torturës dhe terrorit të mijëra të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Ky monument i trashëgimisë historike vendi simbol dhe eponim i dhunimit të lirive dhe të drejtave themelore, njëkohësisht simbol i qëndresës e revoltës në ditët më të errëta të regjimit komunist, duhet të marrë vendin që i përket.
I papranueshëm është plani për ngritjen e një instalacioni artificial larg vendit të memories duke e shndërruar burgun e Spaçit në një aneks, duke shkaktuar humbjen graduale të interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike, si një vend memorie e dëshmisë së gjallë, si një moment reflektimi dhe përballje emocionale me të vërtetën, e për rrjedhojë degradimin e plotë të tij në harkun e pak viteve.
Në nderim të kujtesës të atyre që nuk jetojnë, të atyre që kemi mes nesh, dhe për hir të brezave të ardhshëm, Partia Demokratike e Shqipërisë, i ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë shpalljen Muze Kombëtar të Kampeve të Spaçit dhe Tepelenës. Rishikimi i teksteve shkollore dhe pelegrinazhi i brezave të rinj në vendet simbol të terrorit dhe persekutimit komunist janë investime të domosdoshme të shoqërisë dhe shtetit shqiptar për të mos harruar dhe mos përsëritur kurrë më tragjeditë e të shkuarës së errët të diktaturës.