Themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, iu dha leja të hënën për të apeluar kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara, pasi argumentoi në Gjykatën e Lartë të Londrës se ai mund të mos jetë në gjendje të mbështetet në të drejtën e tij për lirinë e fjalës në një gjykatë amerikane.
Assange, i lindur në Australi, 52 vjeç, kërkohet në SHBA me 18 akuza, pothuajse të gjitha sipas Aktit të Spiunazhit, në lidhje me publikimin e madh të dokumenteve sekrete amerikane nga WikiLeaks – shkeljet më të mëdha të sigurisë në llojin e tyre në historinë ushtarake të SHBA-së.
Gjykata e Lartë e Britanisë i kishte dhënë në mars lejen e përkohshme për të apeluar me arsyetimin se ai mund të diskriminohej si shtetas i huaj, por njëkohësisht ftoi SHBA-në të dorëzonte garanci.
Pas seancës dëgjimore të së hënës, dy gjyqtarë të lartë thanë se argumenti i Assange se ai mund të mos ishte në gjendje të mbështetej në të drejtën e Amendamentit të Parë të SHBA-së për lirinë e fjalës meritonte një apel të plotë – i cili nuk ka gjasa të mbahet për muaj të tërë.
Lajmi shkaktoi brohoritje dhe këngë nga qindra mbështetës që ishin mbledhur jashtë gjykatës duke lidhur shirita të verdhë në kangjellat e hekurta e duke mbajtur pankarta teksa thërrisnin “Liro, liro Julian Assange”.
Vetë Assange nuk ishte i pranishëm, për arsye shëndetësore sipas avokatit. Por gruaja e tij Stella, e cila foli me të pas vendimit, tha se ai ishte “qartësisht i lehtësuar”, pasi nuk mund të flinte fare.
“Ne nuk e dimë se sa do zgjasë kjo dhe do ketë padyshim një ndikim të madh te ai,” tha Stella, e cila kishte qenë në seancën në gjykatë me vëllain dhe babanë e Assange.
Ajo tha se vendimi shënoi një pikë kthese.
“Shpresoj që administrata e SHBA-së ta shikojë këtë rast dhe të vendosë se duhet të mbyllet”, tha ajo. “Sinjalet janë të qarta se është koha për ta mbyllur atë.”
Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi një çështje gjyqësore në pritje.
Nëse vendimi i së hënës do ishte kundër tij, ekipi i Assange tha se ai mund të kishte qenë në një aeroplan për në SHBA brenda 24 orëve, duke i dhënë fund më shumë se 13 viteve beteja ligjore në Britani.
Mund të kalojnë shumë muaj derisa të shqyrtohet apeli dhe më pas ai vendim mund të merret në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.
Përfaqësuesit amerikanë dështuan të bindin gjyqtarët britanikë për garancitë e kërkuara
Prokurorët amerikanë i kishin thënë gjykatës që Assange mund të “kërkonte të mbështetej” në mbrojtjen e Amendamentit të Parë që u jepet qytetarëve amerikanë dhe se nuk do diskriminohej për shkak të kombësisë së tij. Por ekipi i tij ligjor tha se një gjykatë amerikane nuk do detyrohej nga kjo.
“Ne themi se kjo është një garanci e papërshtatshme,” tha avokati i Assange, Edëard Fitzgerald para gjyqtarëve.
Ndërsa SHBA-ja kishte dhënë garancitë, ajo e bëri këtë me një sërë kushtesh. Pala amerikane premtoi të mos e vendoste menjëherë Assange në një burg të sigurisë maksimale, por rezervoi të drejtën për ta bërë këtë bazuar në sjelljen e tij.
Prokurorët amerikanë deklaruan gjithashtu se themeluesi i WikiLeaks do ishte në gjendje të mbështetej në të drejtën e Amendamentit të Parë për fjalën e lirë gjatë gjyqit, por vunë në dukje se zbatueshmëria e tij do ishte “ekskluzivisht në kompetencën e gjykatave amerikane”.
Gjykata gjithashtu arriti në përfundimin se apelimi i Assange duhet të zbatohet për të 18 pikat, jo vetëm për tre, siç kishin argumentuar prokurorët. Megjithatë, Fitzgerald pranoi një garanci të veçantë të SHBA-së se Assange nuk do përballej me dënimin me vdekje.
WikiLeaks publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara ushtarake amerikane mbi luftërat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak, së bashku me një sërë kabllogramesh diplomatike.
Në prill 2010, ai publikoi një video të klasifikuar që tregonte një sulm me helikopter të vitit 2007 të SHBA që vrau një duzinë njerëz në kryeqytetin irakian, Bagdad, përfshirë dy gazetarë të Reuters.
Autoritetet amerikane thonë se veprimet e Assange me WikiLeaks ishin të pamatura, dëmtuan sigurinë kombëtare dhe rrezikuan jetën e agjentëve.
Assange u arrestua për herë të parë në Britani në vitin 2010 me një urdhër suedez mbi akuzat për krime seksuale, të cilat më vonë u hodhën poshtë.
Që atëherë, ai ka qenë në mënyra të ndryshme në arrest shtëpie, i mbajtur në ambasadën e Ekuadorit në Londër për shtatë vjet dhe, që nga viti 2019, është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh.
Ai u martua me bashkëshorten e tij Stella atje në vitin 2022 dhe çifti kanë dy fëmijë të vegjël.
VINI RE: Kym atrial është pronësi inteleketuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani