Aleatët perëndimorë po marrin shumë kohë për të marrë vendime kyçe për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, tha presidenti Volodymyr Zelensky për Reuters në një intervistë ekskluzive në Kiev të hënën.
Ai tha gjithashtu se po i shtynte partnerët të përfshiheshin më drejtpërdrejt në luftë duke ndihmuar në përgjimin e raketave ruse mbi Ukrainë dhe duke lejuar Kievin të përdorë armë perëndimore kundër pajisjeve ushtarake të armikut që ndodhen pranë kufirit.
Thirrja për të përshpejtuar ndihmën dhe shtyrjen e të ashtuquajturave “vijat e kuqe” të përfshirjes në konflikt pasqyron presionin në rritje me të cilat forcat ukrainase përballen në frontin mbi 1000 km në verilindje, lindje dhe jug të vendit.
Zelensky, i veshur me bluzën dhe pantallonat e tij të njohura ngjyrë kaki, tha se gjendja në fushën e betejës ishte “një nga më të vështirat” që ai kishte njohur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë nga ana e Rusisë në shkurt 2022.
Në javët e fundit, trupat e Moskës kanë bërë sulme në verilindje të Ukrainës, duke testuar më tej mbrojtjen tashmë të shtrirë të Kievit. Në të njëjtën kohë, Rusia ka marrë territore në rajonin lindor të Donbasit në beteja ndonjëherë të ashpra.
“Një valë luftimesh shumë e fuqishme po ndodh në Donbas… Askush nuk e vëren se në të vërtetë ka më shumë beteja në lindje të vendit, veçanërisht në drejtimin Donbas: Kurakhove, Pokrovsk, Chasiv Yar.”
Ai shtoi megjithatë se gjendja në veri të Kharkivit ishte tani “nën kontroll”.
46-vjeçari po fliste në përvjetorin e pestë të zgjedhjes së tij si president. Ai nuk ka marrë pjesë në zgjedhje për shkak të gjendjes ushtarake të vendosur për shkak të pushtimit.
Zelensky bëri thirrje përsëri për ndihmë më të shpejtë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë. Armët dhe municionet nga një paketë e miratuar së fundmi nga SHBA po mbërrijnë tani në Ukrainë, por ajo u vonua me muaj për shkak të grindjeve të brendshme politike.
“Çdo vendim të cilin e marrim të gjithë së bashku, vjen me vonesë rreth një vit”, tha Zelenskiy.
“Por gjërat janë kështu: bëjmë një hap të madh përpara, por përpara kësaj kemi bërë dy hapa prapa. Duhet të ndryshojmë pak paradigmën.”
Rrezik përshkallëzimi
Zelensky tha se ai dëshironte që partnerët e tij të përfshiheshin më drejtpërdrejt në luftë, por kuptoi se ata ishin të kujdesshëm në antagonizimin e Rusisë.
“Është çështje vullneti.”
“Por të gjithë thonë një fjalë që tingëllon njësoj në çdo gjuhë: të gjithë kanë frikë nga përshkallëzimi. Të gjithë janë mësuar me faktin se ukrainasit po vdesin, kjo nuk përbën përshkallëzim për njerëzit.”
Ai propozoi që forcat e armatosura të vendeve fqinje të NATO-s të kapnin e shkatërronin në ajër raketat ruse që hidhen mbi territorin ukrainas për të ndihmuar Kievin të mbrohej.
Rusia ka gjuajtur mijëra raketa dhe drone në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe mbrojtja ajrore është një prioritet për Kievin.
“Rusët përdorin 300 avionë në territorin e Ukrainës. Na duhen të paktën 120, 130 avionë për të bërë njëfarë reziztence në qiell,” tha ai.
Ukraina është duke pritur për dorëzimin e avionëve F-16 të projektuar nga SHBA-ja, të cilët ende nuk janë përdorur.
Ai tha se nëse vendet nuk mund të furnizonin avionët menjëherë, ata mund t’i fluturonin ato nga shtetet fqinje të NATO-s dhe të rrëzonin raketat ruse.
Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se Kievi po negocionte me partnerët ndërkombëtarë për të përdorur armët e tyre për të goditur pajisjet ushtarake ruse në thellësi të territorit rus.
“Deri tani nuk ka asgjë pozitive”, tha ai.
Presidenti rus Putin ka të ngjarë t’i konsiderojë zhvillime të tilla si përshkallëzuese. Ai e konsideron luftën si pjesë të një beteje ekzistenciale me një Perëndim në rënie dhe dekadent, për të cilin ai thotë se poshtëroi Rusinë pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës, duke përfshirë Ukrainën.
Ukraina dhe Perëndimi e kundërshtojnë një interpretim të tillë, duke e quajtur pushtimin një rrëmbim toke të paprovokuar.
Zelensky përsëriti se ai nuk kishte thyer marrëveshjet me aleatët për të mos përdorur armët e tyre brenda Rusisë.
“Ne nuk mund të rrezikojmë të gjithë vëllimin e armëve.”
Skena ndërkombëtare
Ukraina po përgatitet për bisedime ndërkombëtare në Zvicër muajin e ardhshëm, ku Rusia nuk është e ftuar të marrë pjesë dhe që synojnë të unifikojnë dhe forcojnë opinionin kundër Moskës.
Putin ka thënë se bisedimet mund t’i shndërrojnë kërkesat e Ukrainës për një tërheqje ruse në një ultimatum për Rusinë, një strategji që ai tha se do dështonte. Zelensky tha se ishte thelbësore që të mblidheshin sa më shumë vende rreth tryezës.
“Në këtë mënyrë Rusia do duhet t’i përgjigjet shumicës së botës, jo Ukrainës. Askush nuk thotë se nesër Rusia do pajtohet me këtë gjë, por është e rëndësishme që ne të kemi nismën.”
Pekini ende nuk ka thënë nëse do marrë pjesë, megjithëse presidenti kinez Xi Jinping dhe Putin u takuan javën e kaluar në Kinë dhe u zotuan për një “epokë të re” partneriteti midis dy rivalëve më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara.
“Është shumë e rëndësishme që Kina të jetë atje,” tha Zelensky.
“Sepse në parim, pas këtij samiti, bëhet e qartë se kush dëshiron t’i japë fund luftës dhe kush dëshiron të mbetet në marrëdhënie të forta me Federatën Ruse.”
Për sa i përket politikës së SHBA-së, ai u përpoq të shuante shqetësimet se çdo fitore e kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit mund të sjellë telashe për Ukrainën. Trump është një skeptik i ndihmës në Ukrainë, i cili ka theksuar politikat “Amerika e para”.
“Nuk besoj se republikanët janë kundër mbështetjes për Ukrainën, por disa mesazhe që vijnë nga ana e tyre ngrenë shqetësime”.
Zelensky, një ish-komedian, tha se do t’i linte të tjerët të gjykonin paraqitjen e tij si udhëheqës i një vendi në luftë, por ai shprehu mirënjohjen e tij për popullin ukrainas për stoicizmin e tij përballë fatkeqësive.
Ai këmbënguli gjithashtu se Ukraina ende ta fitojë ende luftën, pavarësisht pengesave në muajt e fundit.
“Unë mendoj se ne duhet të ecim në këtë rrugë deri në fund, mundësisht një rrugë fitimtare,” tha ai. “Edhe pse sot njerëzit e shohin disi skeptik fjalën “fitore”, e kuptoj se është e vështirë, sepse është e gjatë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani