Kryetari i PD, Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook ka kujtuar 40-vjetorin e revoltës në burgun e Qafë Barit duke nderuar me mirënjohje dy protagonistët e kësaj ngjarje historike, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja.
Basha shprehet se “edhe sot pas 40 vitesh nga revolta e Qafë Barit, çdo shqiptar e ka të përbrendshme revoltimin ndaj padrejtësive, duke mos bërë mjaftueshëm jo vetëm për shtresën më të vuajtur të atij regjimi, por edhe në raport me pritshmëritë e njerëzve për liri, demokraci dhe mirëqenie”. Sipas kreut demokrat, PD do të bëjë gjithçka që për shqiptarët të bëhet realitet aspirata për një Shqipëri më të mirë.
Më poshtë postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:
“Në këtë përvjetor përkulemi me nderim dhe mirënjohje para heroizmit të dy martirëve të revoltës së Qafë Barit, Sokol Sokolit dhe Tomë Ndojës, të cilët u bënë mishërim i sakrificës për liri, dhe të shokëve dhe bashkëvuajtësve të tyre, protagonistë në këtë ngjarje të madhe. Edhe sot pas 40 vitesh nga revolta e Qafë Barit, çdo shqiptar e ka të përbrendshme revoltimin ndaj padrejtësive, duke mos bërë mjaftueshëm jo vetëm për shtresën më të vuajtur të atij regjimi, por edhe në raport me pritshmëritë e njerëzve për liri, demokraci dhe mirëqenie.
Partia Demokratike e Shqipërisë do të bëjë gjithçka për të përmbushur aspiratat e çdo shqiptari për një Shqipëri më të mirë, më të lirë dhe më të begatë. Lavdi përjetë heronjve të revoltës së Qafë Barit”, shkruan Basha.