Në raportimin në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani u ndal edhe njëherë në çështjen e mandatit për prokurorët e posaçëm. Dumani tha se kërkojnë që t’u jepet mundësia që prokurorët e SPAK të mund të rikandidojnë në përfundim të mandatit 9-vjeçar.
“Lidhur me mandatin, nuk është shqetësim i karrierës sime apo kolegëve të mi. Ne karrierën kemi të sigurt brena sistemit, prokurorë do vazhdojmë të ngelemi edhe pas afatit 9-vjeçar. Çështja duhet trajtuar në kuadër të efektivitetit të vazhdimësisë institucionit. Kudo ku ka mandat nuk ka liri, qëndrueshmëri në rezultate. Mendojeni rastin të tillë, kur është një hetim që kërkon kohë, mund, bashkërendim me agjenci brenda dhe jashtë vendit. Nga njoftimi publik i çështjes së fundit, nuk e mbaj mend sa agjenci të huaja janë përfshirë. Keni grumbulluar provat, hetimi po shkon mirë, dhe një ditë të bukur prokurorit i ndërpritet mandati.
Prokurorët janë dhe ndihen të pavarur. Pavarësinë e garanton Kuvendi me kornizën kushtetuese dhe ligjore, ajo garantohet falë legjislacionit. Duhet të jemi të vëmendshëm. Fakti që gjyqtarët e prokurorët kaluan vettingun nuk do të thotë se janë të paprekshëm nga korrupsioni. Madje shqetësimi im më i madh janë gjyqtarët e prokurorët që kanë kaluar vettingun dhe janë në sistemin e drejtësisë”,u shpreh Dumani.
Gjithshtu Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u pyet në komisionin e Ligjeve nëse është i kënaqur me punën e prokurorëve të SPAK.
“Patjetër që unë jam i kënaqur nga paraqitja e tyre nga angazhimi i tyre, jam kritik me veten time ne radhë të parë dhe kam pakënaqësitë e mia dhe për kolegët prokurore. Për i vlerësoj pozitivisht. Jemi duke ecur drejt asaj që pritet nga institucioni jonë për të qenë i aftë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj çdo funksionari publik pavarësisht fuqisë që mbajtën”, tha Dumani.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve bëri sërish thirrje për shtim të numrit të hetuesve.
‘Nesër do të doja të kishte edhe 200 të tjerë e them nisur nga ngarkesa e madhe që kemi. Po punojmë të jemi të arsyeshëm dhe të argumentojmë kërkesat tona pse duhet të kemi rritje të hetuesve.’- tha Dumani.