Vendosni fjalën kyçe....

Dumani: Prokurorët e SPAK duhet të bëjnë një vesh shurdh nga presioni politik e mediatik


Kreu i SPAK Altin Dumani në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve, tha se prokurorët e SPAK duhet të bëjnë një vesh shurdh nga presionet politike dhe mediatike.

“Prokurorët e SPAK duhet ti bëjnë vesh shurdh nga çdo lloj presioni politik dhe mediatik. Sa kohë kemi të garantuar këtë pavarësinë kushtetuese dhe ligjore ne nuk duhet të influencohemi fare nga lufta politike apo mediatike, marrëdhënie me politikën është institucionale dhe procedurale nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër tej këtyre kornizave”, tha Dumani.

Kreu i SPAK, Altin Dumani foli në Komisionin e Ligjeve gjithashtu edhe për deklaratën se zyrtarë të policisë janë të lidhur me krimin e organizuar. Dumani tha se duhet bërë diferenca me ata zyrtarë të policisë që vërtetë luftojnë krimin, por tha se është ulëritëse se si disa prej zyrtarëve të policisë bashkëpunojnë me krimet që kryejnë organizatat kriminale.

Për vitin 2023, Dumani tha se SPAK ka regjistruar 70 procedime penale për oficerët e policisë.

“Në shumë nga hetimet tona një rol të rëndësishëm ka luajtur policia dhe oficerët. Në shumë nga hetimet janë evidentuar lidhje të krimit me funksionar të korruptuar të policisë. Fenomeni i korruptimit në radhët e policisë është problem për funksionimin e shtetit ligjor, pasi pengon hetimet e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Nga viti 2020 deri në fund të 2023, janë proceduar rreth 70 efektivë vetëm nga SPAK, siç është bërë publike, këtë kam patur parasysh kur kam bërë këtë deklaratë, na ka rezultuar drejtues të lartë të policisë të lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin në krimet që krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik, Bistri, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh, nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë, ne me policinë e Shtetit bashkëpunojmë çdo ditë, kemi hetime të përbashkëta”, tha Dumani.