Teksa kreu i SPAK, Altin Dumani po raporton te Komisioni i Ligjeve, vjen një reagim nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Basha kërkoi që Kuvendi të përfshijë propozimet e PD për fuqizimin e SPAK.
REAGIMI I BASHES
Ata që liruan me amnisti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un. Nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përkundrazi, mbajnë bllokuar nismat ligjore të PD-së për t’i ardhur në ndihmë SPAK-ut dhe BKH-së.
Bëjnë sikur kërkojnë shpejtësi hetimi për korrupsionin nga SPAK-u, por fusin kokat poshtë tavolinave për nismën e PD-së për heqjen e imunitetit. Sepse duan t’u japin kohë të largohen të korruptuarve siç bënë me Arben Ahmetajn.
PD-ja qëndron e vendosur në mbështetje të SPAK-ut dhe BKH-së nëpërmjet propozimeve dhe amendamenteve të saj. Vetëm kështu do dalë në shesh e vërteta e atyre që duan vërtet drejtësi dhe hipokritëve të politikës 34-vjeçare që fshihen pas gishtit dhe në momentin e parë bëjnë gjithçka për ta sabotuar punën e drejtësisë.