Themeluesi dhe kryetari i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab ka njoftuar se do tërhiqet nga roli i tij, pas më shumë se 50 vitesh në krye të organizatës, sipas platformës së lajmeve Semafor.
Shkrimi citon një letër nga Schëab drejtuar stafit të martën, në të cilën ai përshkruan synimin e tij për të kaluar në një rol jo-ekzekutiv përpara takimit të ardhshëm të mbledhjes vjetore në qytetin turistik alpin të Davosit në Zvicër, në vitin 2025. Ndryshimi është në pritje të miratimit nga qeveria zvicerane.
Semafor citoi gjithashtu një deklaratë të një zëdhënësi të forumit, i cili tha se organizata po “shndërrohet nga një platformë mbledhjesh në institucionin kryesor global për bashkëpunimin publik-privat”.
Schwab, 86 vjeç, thuhet se nuk e emëroi pasardhësin e tij, por tha se gjatë vitit të kaluar bordi ekzekutiv i grupit “nën udhëheqjen e Presidentit Borge Brende, ka marrë përgjegjësinë e plotë ekzekutive”. Ish-ministër i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Brende, 58 vjeç, ka qenë president i WEF që nga viti 2017.
Themeluar nga Schwab në vitin 1971, WEF është një fondacion jofitimprurës dhe mbledhja e tij vjetore në Davos është ngjarja më e madhe vjetore e biznesit dhe ekonomisë në botë.
Forumi tërheq tradicionalisht dhjetëra krerë dhe shefa ekzekutivë të rangut të lartë botëror, me më shumë se 50 krerë shtetesh të pranishëm në vitin 2024, sipas organizatës.
Ai funksionon shumë si një “biznes familjar”, shkroi Semafor, duke theksuar se fëmijët e Schwab janë emëruar në poste të rangut të lartë dhe gruaja e tij Hilde kryeson ceremonitë e themelimit dhe çmimeve të organizatës në Davos.
Raporti e përshkroi gjithashtu WEF-në si një “biznes të jashtëzakonshëm”, i cili solli afro 500 milionë dollarë të ardhura në vitin që përfundon në mars 2023 dhe “kishte 200 milionë franga zvicerane (220 milionë dollarë) në para të gatshme”.