Vendosni fjalën kyçe....

100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan nga amnistia penale


100 persona, mes tyre 42 të punësuar në zyrat e shtetit kanë përfituar nga amnistia penale e vitit 2024 edhe pse ishin të dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Informacioni i mundësuar nga SPAK për Faktoje nuk përputhet me deklarimin e ministrit të drejtësisë Ulsi Manja gjatë interpelancës parlamentare.

Nga Jona Plumbi

Ligji i amnistisë penale dhe përfituesit prej saj sollën debat të gjerë mes politikbërësve dhe opinionit publik. Shkak ishin deklaratat politike për ata që do të përfitonin nga kjo amnisti, duke u përqëndruar tek të dënuarit nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në një përballje parlamentare mes deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj dhe ministrit të drejtësisë Ulsi Manja – ku i pari i kërkoi të dytit informacion mbi përfituesit nga amnistia që i përkisnin këtij grupimi njerëzish – ministri bëri kthesë pas nga deklarata e mëhershme ku siguronte se ‘nëpërmjet këtij ligji nuk amnistohet asnjë person i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar’.

Gjatë interpelancës Manja deklaroi ndër të tjera se ‘Nga kjo amnisti përfituan lirimin e menjëhershëm 18 të dënuar nga GJKKO sipas nenit 75/a gërma a e kodit të procedurës penale (në datën 24.04.2024). Ndërsa 2 prej tyre [të dënuarve nga GJKKO] janë liraur pas kësaj date. Nga ata 20 që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe që janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive si ushtrim i ndikimit të paligjshëm, shkelje e barazisë në tendera apo shpërdorim detyre në ndonjë rast janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik janë vetëm 8.’

Faktoje kërkoi informacion nga SPAK, Ministria e Drejtësisë dhe GJKKO për përfituesit nga amnistia që i përkasin të hetuarve nga SPAK dhe të dënuarve nga GJKKO. Mes tre institucioneve, i vetmi që ktheu përgjigje ishte Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Përgjigjja e ardhur në datë 16 Maj nga SPAK tregon se të liruar nga amnistia pas dënimit për ‘ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ janë 40 persona, mes të cilëve 28 qytetarë dhe 12 punonjës shtetërorë. Ndërsa, përfitues të uljes së dënimit për shkelje të barazisë në tendera janë dhjetë persona, si dhe tre të tjerë të dënuar për shpërdorim detyre.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al