Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i Posaçëm cakton datën 5 qershor për seancën e parë për inceneratorin e Elbasanit


Apeli i Posaçëm ka caktuar datën e nisjes së procesit për inceneratorin e Elbasanit. Sipas njoftimit të Apelit  seanca e parë do të mbahet më 5 qershor.

Trupi gjykues përbëhet nga Ilirijana Olldashi, Saida Dollani dhe kryesuese Ingerta Hysi. Tetorin e kaluar ish-ministri Lefter Koka u dënua me 5.8 vite burg, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako u shpall i pafajshëm.

Me 6 vite e 8 muaj burg u dënuan edhe administratorët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri dhe 4.8 vite Stela Gugallja.

Ndërsa anëtarët e komisionit të vleresimit të ofertave Pëllumb Abeshi e Jonida Zeqo me nga 4.8 vite burg. Vendimi është ankimuar nga të dënuarit që kërkojnë pafajësi, por edhe nga SPAK.

NJOFTIMI I APELIT TE GJKKO

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 16.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 35 regjistri themeltar, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimeve të ankuesve/të pandehur L.K., P.A., J.Z., M.M., S.G., K.Z., Shoqëria tregtare “***” sh.p.k., Shoqëria tregtare “***” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 61, datë 05.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtorë të pandehurit për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248-25, 245-25, 260, 287/2, 328-25 të Kodit Penal.

Sipas shortit të datës 16.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (Anëtare), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare). Seanca gjyqësore publike është caktuar për më datë 05.06.2024, ora 11:30”.